Qeveri ka hedhur për konsultim publik projektvendimin “Për miratimin e metodave dhe procedurave për sigurimin e garancive financiare për kompensimin e një dëmi të mundshëm ndaj mjedisit apo për eliminimin e një kërcënimi të pashmangshëm për dëme në mjedis”. Drafti ka për qëllim të përcaktojë metodat dhe procedurat për sigurimin, nëpërmjet garancisë bankare ose kontratës së sigurimit, të fondeve të nevojshme që operatori duhet të vërë paraprakisht në dispozicion për kompensimin e një dëmi të mundshëm në mjedis ose për eliminimin e një kërcënimi të pashmangshëm për dëme në mjedis.
Këto instrumente ofrojnë siguri juridike dhe financiare të mjaftueshme për garantimin e disponueshmërisë së fondeve të nevojshme për përballimin e kostove që lidhen me parandalimin, rehabilitimin dhe kompensimin e dëmit në mjedis, duke siguruar njëkohësisht zbatueshmëri praktike dhe aksesueshmëri për operatorët.
Projektvendimi rregullon format e pranueshme të garancisë financiare dhe kushtet minimale të tyre; metodën dhe procedurën për përcaktimin e vlerës së garancisë financiare; si dhe paraqitjen, pranimin, vlefshmërinë, rinovimin, rishikimin dhe ekzekutimin e garancisë financiare.







