Nuk ka të ndalur rritja e çmimeve të banesave. Banka e Shqipërisë vlerëson se tendenca është thelluar edhe më shumë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.
Indeksi Fischer i përllogaritur nga institucioni mbikëqyrës bankar tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës u rrit me 11.7% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 28% në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, rritja vjetore e çmimeve u ngadalësua nga niveli prej 41.7% i raportuar në gjashtëmujorin e parë 2025.
Në veçanti për kryeqytetin, tregu shfaqet në ngadalësim të ndjeshëm. Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u raportua i pandryshuar ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm dhe u rrit me 4.4% ndaj nivelit të një viti më parë.
Rritja e çmimeve me bazë vjetore pësoi një rënie drastike nga niveli prej 32.6% i gjashtëmujorit të parë 2025. Banka e Shqipërisë vlerëson se kontributin kryesor në rritjen e vlerës së indeksit të përgjithshëm të çmimeve e ka dhënë rritja në vlerën e indeksit të llogaritur për zonat e bregdetit.
Në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë, vihet re se peshat e transaksioneve për të cilat çmimi i blerjes së pronës ka qenë i njëjtë ose deri në 5% më i ulët se çmimi i kërkuar nga shitësi kanë peshë të ngjashme me gjashtëmujorin e parë.
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 9.1 muaj nga 11.6 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes u ul ndjeshëm në 8.1 nga 11.1 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u rrit në 9.9 nga 8.7 muaj, ndërsa për zonat e tjera kohëzgjatja e shitjes rezultoi më e ulët sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke rënë në 10.1 nga 12.8 muaj.
Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të shoqërojë një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, rreth 61% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 38% të rasteve kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.
Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025, rreth 25% e banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 52% rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së.
Në tërësi, pesha e transaksioneve në të cilat blerësit janë jorezidentë ka shfaqur një prirje në rritje gjatë 5 viteve të fundit.
Banka e Shqipërisë raporton se gjithashtu çmimet e qirasë sipas agjentëve kanë shënuar rritje gjatë gjashtëmujorit të dytë 2025. Informacioni mbi kërkesën dhe çmimet e qirasë vjen kryesisht nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit. Sipas tyre, kërkesa e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa e gjashtëmujorit të mëparshëm.
Vlerësimet e subjekteve për gjendjen e tregut dhe çmimet në tregun e banesave mbeten përgjithësisht pozitive për afatin e shkurtër dhe afatin më të gjatë. Pritjet e agjentëve të shitjes për të ardhmen paraqiten përsëri pozitive pozitive. Agjentët kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe për periudhën më të gjatë (deri në dy vjet).








