Megjithëse në distancë mbi 1 mijë e 700 kilometra, tensionet në Lindjen e Mesme po i përcjellin dita-ditës efektet në Shqipëri. Me naftën dhe benzinën që kanë kapur nivelin e gati 200 lekëve, transporti publik dhe shërbimi i taksive kërkojnë nga qeveria të ndërhyjë.
“Çmimet e larta të karburanteve po e komplikojnë funksionimin e plotë të transportit urban dhe interurban. Kompanitë tona përballen me kosto që nuk ishin parashikuar dhe kjo mund të ndikojë në rregullsinë e linjave, frekuencën e shërbimeve dhe sigurinë e pasagjerëve. Pa një masë mbështetëse nga qeveria, është e vështirë të ruhet cilësia e shërbimit, ndërkohë që presioni mbi operatorët rritet çdo ditë”, tha Dashnor Memaj, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban.
“Për taksistët, çdo rritje e çmimeve të naftës ose gazit përkthehet në shpenzime më të larta që duhet t’i mbulojmë vetë. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt tek qytetarët, pasi tarifa do të rritet për të kompensuar kostot shtesë. Është thelbësore që qeveria të ofrojë masa mbrojtëse për ne, në mënyrë që të mos ngarkohet më tej xhepi i qytetarëve dhe të mos cenohet shërbimi që ofrojmë çdo ditë”, tha Bilbil Cara, Sindikata e Taksistëve.
Rritja e çmimit të naftës, benzinës apo gazit sjell do të thotë më shumë kosto për operatorët, shpenzime që këta të fundit do t’i transferojnë te qytetarët. “Ne kemi nevojë për mekanizma që lehtësojnë barrën financiare dhe që nuk lejojnë ndalimin e linjave apo reduktimin e shërbimeve gjatë orarit të ngarkuar. Pa mbështetje, kompanitë do të detyrohen të marrin masa të forta që mund të ndikojnë në qytetarët që përdorin transportin publik si mënyrën kryesore të lëvizjes, veçanërisht ata që nuk kanë alternativa të tjera”, tha Memaj.
“Historikisht, qeveria ka intervenuar me paketa rimbursimi për të kompensuar pjesërisht rritjen e çmimeve të karburanteve. Përvoja e viteve të shkuara tregon se këto masa ndihmojnë operatorët dhe qytetarët njëkohësisht, duke ruajtur stabilitetin e tarifave dhe funksionimin normal të sektorit. Pa një plan të tillë, situata mund të përkeqësohet shpejt, duke rritur pasigurinë për operatorët dhe duke e bërë më të vështirë jetën e qytetarëve”, tha Cara.
Në vitin 2022, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës nga nisja e luftës Ukrainë-Rusi, qeveria vendosi rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt gusht-shtator-tetor për kompanitë e transportit. Kjo masë nisi të zbatohet nga 1 Nëntori 2022. Kjo ishte paketa e dytë antikrizë që u zbatua në ndihmë të sektorit. E njëjta paketë u përdor për rimbursimin e naftës për muajt mars-prill-maj të atij viti./A2 CNN








