Jo vetëm çmimet e shitjeve, por edhe qiratë po shtrenjtohen me ritëm të shpejtë në Shqipëri. Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e tretë të vitit çmimet e qirave u rritën me 5.8% në raport me vitin e kaluar.
Po sipas bankës inflacioni i qirave në periudhën e verës ishte 2.5 herë më i lartë se mesatarja e periudhës qershor 2021- qershor 2025, duke shënuar vlerat më të larta historike.
Ndikim në këtë shtrenjtim sipas ekspertëve të tregut po jep turizmi, i cili ka shtuar kërkesën për apartamente me qira, sidomos në verë, ku rezervimet në platformat online janë në shifra të larta.
Me ritëm edhe më të shpejtë se qiratë, këtë vit janë rritur edhe çmimet e banesave për shitje. Vetëm në gjashtëmujorin e parë çmimet u rritën me 41.7%, duke arritur në shifrën më të lartë prej vitit 2020, – thuhet në vrojtimin e bankës.
Por kjo valë nuk pritet të ndalet. 42% e subjekteve të pyetura nga Banka e Shqipërisë kanë pohuar se çmimet do të rriten, 54% thonë se do të jenë të qëndrueshme dhe vetëm 4% thonë se çmimet do të bien.





