Një skandal i subvencioneve bujqësore të përfituara nga Bashkimi Evropian ka tronditur qeverinë greke. Hetimet ndërkombëtare kanë zbuluar keqpërdorim fondesh, duke sjellë dorëheqjen e disa ministrave të kabinetit.
Prej më shumë se një jave, opinioni publik grek po tronditet nga një aferë me subvencione agrare të përfituara ilegalisht nga Bashkimi Evropian. Akuzat nga Brukseli kanë sjellë dorëheqjet e para. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis pranoi disfatën, duke premtuar se do të luftojë edhe më fort korrupsionin, madje edhe kundër zyrtarëve të partisë së tij Nea Dimokratia (ND).
Mitsotakis i referohej skandalit të fundit të keqpërdorimit të fondeve të BE-së në Greqi, që po hetohet aktualisht nga Zyra e Prokurorisë Publike Europiane (EPPO). Bëhet fjalë për subvencione agrare me vlerë qindra milionë euro. Ato u paguan nga agjencia përkatëse greke, Opekepe, për dele dhe dhi që nuk ekzistojnë në Kretë apo për plantacione bananesh në malin Olimp.
Kjo dyshohet të ketë ndodhur me dijeninë e dy ish-ministrave të bujqësisë në qeverinë Mitsotakis: Makis Voridis, përgjegjës për bujqësinë nga 2021 deri 2023 dhe pasardhësi i tij Lefteris Avgenakis, që shërbeu deri në vitin 2024. Voridis sapo ishte emëruar ministër i Emigracionit në mars të këtij viti. Të premten e kaluar, ai dha dorëheqjen. Gjithashtu, tre ministra shteti, të përfshirë në këtë aferë, hoqën dorë nga posti.
Në fakt skandali dihej prej disa muajsh. Por qeveria greke nuk reagoi ndaj akuzave dhe nuk ndërmori asnjë veprim deri javën e kaluar, kur Prokuroria Europiane ia transmetoi parlamentit grek informacionet lidhur me përfshirjen e supozuar të ministrave në aktivitete kriminale.
Dosja prej 3,000 faqesh përshkruan një “organizatë kriminale”, të përbërë nga zyrtarë të agjencisë Opekepe si dhe deputetë dhe individë, që kanë marrë në mënyrë të paligjshme fonde nga BE. Dosja përshkruan edhe se si vepronte organizata kryesisht në Kretë. Shumë skandale kanë ngritur dyshime mbi mandatin e Mitsotakis, si afera e përgjimeve, mbytja fatale e anijes pranë Pilos dhe mbi të gjitha aksidenti hekurudhor pranë Tempit.