Emigracioni i lartë, kryesisht të të rinjve ka ushtruar presion për rritjen e pagave. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në tremujorin e dytë të këtij viti, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë arriti në 70.905 lekë, duke u rritur me 16,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Pagat rezultojnë më të larta në sektorin publik. Një i punësuar në shtet ka një pagë mesatare bruto prej 82,207 lekë nga 74,450 lekë që ishite në fund të bvitit 2022.
Ndërkohë që në sektorin privat, paga mesatare bruto arrin në 65,901 lekë nga 62,198 lekë që ishite në fund të vitit të kaluar. Rritja ka pësuar edhe paga minimale, që pas vendimit të qeverisë vletrësohet aktualisht në 40 mijë lekë.
Gjatë tremujorit të dytë 2023, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2023 paga mesatare bruto për grupaktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 20,4 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi prej 12 %.
Gjatë tremujorit të dytë 2023, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.