Nisja e vitit të ri akademik për fëmijët e çerdheve ka shtuar edhe fluksin e frekuentimit në çerdhet publike në Tiranë.
Por rritja e regjistrimeve të fëmijëve të fëmijëve për herë të parë në Tiranë është ndikuar nga të ardhurit e rretheve, pasi lindjet në Tiranë janë ulur. Për 2022 sipas të dhënave të INSTAT lindjet në Tiranë ranë rreth 4% krahasuar me 2021. Tendenca rënëse e lindjeve vijoi edhe për janar-shkurt 2023. Në këto muaj lindjet ranë 13,3% në Tiranë krahasuar me 2022.
Sipas dhe dhënave të Open Data të Bashkisë së Tiranë, për periudhën janar-qershor 2023 numri i fëmijëve të regjistruar për herë të parë në çerdhet publike sipas grupmoshave (6-12 muajsh, 1-2 vjeç, 2-3 vjeç) është rritur 40%. Në total në Tiranë janë 43 çerdhe publike. Aplikimet për pranimin e fëmijëve në çerdhe nisi më 3 Qershor sipas njoftimit të Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve në Tiranë.
Për muajt janar qershor numri i regjistrimeve të fëmijëve të grup-moshës nga 6 muaj deri në 12 muaj është ulur 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për fëmijët e grup-moshës nga 12 muaj deri 2 vjeç regjistrimet për herë të parë për janar-qershor 2023 janë rritur 86% krahasuar me vjet. Ndërsa për fëmijët e grup-moshës nga 2 deri në 3 vjeç regjistrimet për herë të parë për periudhën janar-qershor 2023 janë 2-fishuar krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas një edukatore pranë zonës së ish Shkollës së Bashkuar numri i fëmijëve në një klasë të grup-moshës 6 muaj deri 1 vjeç arrin në 43 fëmijë. “Numri i fëmijëve ka qenë i lartë edhe vitin e kaluar, por këtë vit fëmijët e rinj që janë shtuar më tepër janë të moshës 1 vjeçare. Fëmijët e rinj më tepër janë të ardhur nga rrethet”, shtoi ajo.
Për shkak të kërkesës së lartë për regjistrime në çerdhe, parësi te aplikimet për çerdhet publike të Tiranës kanë fëmijët me status jetim, familjet që trajtohen në skemën e ndihmës sociale, si dhe fëmijët me të dy prindërit në marrëdhënie pune.
Në total numri i fëmijëve të regjistruar në çerdhet publike në Tiranë për muajt janar-korrik ishte 39,053 fëmijë sipas të dhënave të Open Data të Bashkisë së Tiranës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar regjistrimet janë shtuar 12%./Monitor