Ekonomia shqiptare do të ketë një orientim të qartë drejt inovacionit dhe teknologjisë. Kjo është parashikuar në Strategjinë e Specializimit Inteligjent ose sic njihet ndryshe S3, që bën bashkë në një qasje gjithëpërfshirëse qeverinë, biznesin, akademinë dhe shoqërinë civile.
Strategjia do të zbatohet në nivel rajonal dhe po hartohet me mbështetjen e Komisionit Europian.
E pranishme në konferencën e lancimit të kësaj strategjie, zv. Kryeministrja Belinda Balluku Balluku vlerësoi rolin që do të ketë kjo strategji në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të sektorëve të ndryshëm dhe ekonomisë në tërësi.
“Do të nisim një faqe të re duke hartuar një strategji të re, me një metodologji ndryshe, që do të jetë si një udhërrëfyes për qeverinë shqiptare dhe i vjen në ndihmë zhvillimit të sektorëve dhe nën-sektorëve të ekonomisë në përgjigje të zhvillimeve bashkëkohore që kërkon koha, duke mundësuar progres dhe punësim për të rinjtë”, ka deklaruar Balluku.
Sipas numrit dy të qeverisë, kjo strategji i përgjigjet në mënyrë të specializuar çdo sektori që nga bujqësia, energjia, manifaktura, mjedisi, kultura e deri tek ekonomia blu të gjithë zhvillimit ekonomik kombëtar dhe veçanërisht punësimit mbi baza të digjitalizimit dhe inovacionit.
Zv.kryeministrja ka theksuar se qeveria përkrah dhe mbështet procesin e specializimit inteligjent të Shqipërisë dhe për këtë fushë po punon me ekspertë të BE-së, për hartimin e dokumentit përkatës në linjë kjo dhe me procesin e integrimit që ka nisur tashmë vendi.
“Ne synojmë drejtimin e investimeve në të ardhmen tek inovacioni për të zhvilluar ekonominë në mënyrë inteligjente”, deklaroi Balluku.
Ndërkohë që drejtuesja e ekipit kombëtar të punës për strategjinë S3, Linda Pustina bëri të ditur se Strategjia e Specializimit Inteligjent do të jetë gati në qershor të vitit 2024.