Dentistja e njohur Alesia Duka, është liruar para kohe nga Gjykata, pavarësisht dënimit të saj për mashtrim me shuma të mëdha parash, ku midis viktimave të saj ka pasur edhe biznesmenë. Në 20 Janar të këtij viti, gjyqtari i gjykatës së Tiranës Albert Meca vendosi uljen e dënimit me 80 ditë Dukës, duke pranuar kështu kërkesën e saj.
E arrestuar që prej datës 28 shkurtit 2018, ajo u dënua me 10 vite burg nga Gjykata e Durrësit në datën 25 Gusht 2019. 3 muaj më vonë, dënimi i ulet sërish. Në datën 8 Mars 2019, Apeli i Durrësit cakton 6 vite e 8 muaj burgim.
Në vendimin e gjykatës së Tiranës, shpjegohet më së mirise nga ky dënim, deri në datë 20 Janar 2022, e dënuara ka vuajtur gjithsej 6 vjet, 4 muaj e 9 ditë dhe i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 muaj e 21 ditë burgim.
Në arsyetim, gjyqtari vlerëson se dentistja është sjellë mirë gjatë qëndrimit pas hekurave dhe ka marrë pjesë në programet dhe veprimtaritë e burgut. Kjo, thuhet në vendim, e bindin Gjykatën se kërkuesja i plotëson kushtet për të përfituar ulje dënimi.
“Nga vlerësimi i sjelljes rezultoi e provuar se kjo e dënuar gjatë kohës së vuajtjes së dënimit ka manifestuar sjellje dhe qëndrim të mirë duke u munduar të respektojë rregulloren e institucionit. Ndaj saj nuk janë marrë masa disiplinore, ka lidhje të vazhdueshme me familjaret dhe është pjesëmarrëse në programet dhe veprimtaritë e zhvilluar në institucionin ku vuan dënimin.
Kërkuesja është e punësuar në organikën e IEVP. Koha e vuajtjes së dënimit është e mjaftueshme për t’i krijuar bindjen Gjykatës lidhur me sjelljen dhe pjesëmarrjen e të dënuarës në aktivitetet e organizuara nga administrata e burgut. Qëndrimi i të dënuarës dhe pjesëmarrja e saj në aktivitete kanë qenë të tilla që kanë treguar riintegrimin e tij në shoqëri, elemente të kërkuar nga neni 63 i ligjit nr.8328 ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe te paraburgosurve’ (me ndryshime).
Kjo sjellje dhe pjesmarrja e të dënuarit në aktivitete e bindin Gjykatën se kërkuesi i plotëson kushtet për të përfituar një ulje dënimi”, thuhet në vendim.
“Nga ana proceduriale Gjykata nuk konstaton pengesa për shqyrtimin dhe pranimin e kërkesës, pasi sipas vërtetimit të lëshuar nga Kryesekretaria e Gjykatës dhe deklarimet e përfaqësuesit të IEVP kërkuesi nuk ka paraqitur kërkesë tjetër brenda 12 muajve të fundit dhe se ai ka më shumë se një vit që vuan dënimin.
Gjithashtu Gjykata konstaton se nga aktet e paraqitura në gjykim nga IEVP, kërkuesja vuan dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Në këto rrethana, gjykata krijoi bindjen se ky i dënuar me sjelljen e saj ka treguar se i plotëson kushtet e parashikuara nga neni 63 i ligjit ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe te paraburgosurve’.
Duke marrë parasysh edhe veprën për të cilën është deklaruar fajtor kërkuesi, kushtet e burgut ku ajo vuan dënimin, përfitimet e mëparshme si edhe kohën e mbetur të dënuarës për të vuajtur, gjykata vlerëson se ulja e dënimit duhet të jetë në masën 80 (tetëdhjetë) ditë”, shprehet më tej gjykata.
Neni 63 i ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe te paraburgosurve”
Mashtrimi
Sipas dosjes hetimore të paraqitur në gjykatë nga prokuroria e Durrësit, Alesia Duka rezulton të ketë mashtruar 14 persona, duke arritur t’u marrë atyre një shumë financiare që përllogaritet nga prokuroria rreth 3 milion euro.
Duka, arrinte t’i mashtronte qytetarët duke i premtuar se do ua kthente paratë e marrë me një përqindje më të lartë, pasi biznesi që dispononte, një klinikë dentare, arrinte të gjeneronte sasi të mëdha parash. Ndërsa në një rast të vetëm, Olesia Duka me anë të mashtrimit i ka marrë një personi shumën prej 935 mijë e 432 euro, duke mos ja kthyer më.
Hetimet kanë zbardhur se Olesia Duka prezantohej si administratore e subjektit “Shëndeti” shpk me profesion mjeke që kishte në pronësi disa klinika dentare me anë të të cilave, fitonte shumë para dhe i duhej valutë në euro me qëllim blerje materialesh. Për t’u dukur si një biznesmene e sigurt, Duka mbante të punësuar dhe dy shoferë.
Duka prezantohej si një biznesmene shumë e suksesshme dhe person që ka lidhje të forta politike dhe njohje të mëdha në fushën e biznesit, ku me të ardhurat që fitonte sponsorizonte aktivitetet bamirësie për shtresat në nevojë dhe fëmijët në nevojë. Për të arritur qëllimet e saj, sqaron prokuroria e Durrësit, Olesia Duka, kishte aktivizuar një rrjet të tërë informimi me anë të medias dhe rrjeteve sociale, reklamave në automjete, si dhe me anë të reklamave të vendosura nëpër Tiranë.
Nga të dhënat e mbledhura në funksion të hetimeve, ka rezultuar e provuar se Olesia Duka, për gjatë periudhës nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017, ka mashtruar një numër të konsiderueshëm personash, duke ju marrë atyre nëpërmjet mashtrimit shuma të konsiderueshme parash. Vlerat totale e parave që Duka ju ka vjedhur 14 personave kallëzuesve në total janë 2.733.049 Euro, 26.100.000 lekë dhe 103.000 USD.