Ish-deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari ka komentuar këndvështrimin e saj në lidhje me situatën konfliktuale brenda kësaj force politike.
Ndër të tjera, ajo la të hapur dhe mundësinë e rikthimit të saj në këtë parti.
Shqetësim për Hajdarin, është rikthimi i PD në pushtet, përtej interesave të kryetarëve të saj.
Gjithashtu ajo shtoi se Basha dhe Berisha duhet të largohen për ti hapur rrugë bashkimit të partisë me potencialet e saj dhe me të rinjtë.
“Pyetja që duhet bërë është: Konflikti që ka sot PD-ja, a do ta sjellë në pushtet? Dhe shumë demokratë janë të shqetësuar për këtë gjë. Demokratët sot janë më të shqetësuar se si PD-ja do të vijë në pushtet përtej interesave që kryetarët e saj kanë. Kryetarët kanë privuar që interesat e PD-së dhe demokratëve që nesër të jenë një parti në vlerë publike dhe jo vetëm peng i dy kryetarëve. PD-ja është përtej dy kryetarëve të saj dhe ata do të vijnë te ky qëndrim, të dy të heqin dorë dhe të largohen nga interesat personale dhe të bashkohen në potencialin e saj me të rinjtë dhe të rejat, që PD-ja mos ta ketë të largët ardhjen në pushtet”.
Konfliktin për datat e kuvendit të demokratëve, ajo e sheh si një garë për pronësinë e PD-së dhe jo interesin e saj.
“Është një garë për pronësinë e PD-së dhe nuk duhet të jetë e atillë, demokratët duhet të kuptojnë që PD-ja të mos ngelet peng i interesave personale të dy individëve. Sot, PD-ja duhet të gëlonte nga fakti që duhet të kishte të rinj dhe të reja. Kryetarokracia e ka ndëshkuar PD-në dhe e bëjnë shumë të vështirë që të tjerët të kenë vendimmarrje të plota dhe peshën në PD. Duke parë gjendjen, sot do të jetë një luftë e vështirë se këta që luftojnë për interesat personale koston e merr Shqipëria. Do të ketë konflikte të ndërsjella dhe nuk do t’i shërbente PD-së, sepse statuti nuk ka mënyrë sesi mund ta çosh ne rekurs se nuk është ligj dhe në këto kushte nuk ke sesi të kërkosh llogari mbi statutin si mund të zbatohet. Mënyra si janë ndërtuar është që kryetari të mos bjerë poshtë, nenet janë aty por rekursi është i pamundur dhe nuk ka sesi ta zbatosh, vetëm po pati kryengritje njerëzish. Çështja është që as njëri, as tjetri”.
Për ish-deputeten demokrate, Berisha dhe Basha po i shërbejnë Ramës dhe jetëgjatësisë së qeverisjes së tij, duke i shkaktuar dëm të jashtëzakonshëm PD-së dhe duke e përçarë atë.
“Sot, Rama është më i pushtetshëm se kurrë dhe po ëndërron të bëhet një Putin i ardhshëm, sepse me këtë ritëm të PD-s të konfliktit brenda saj dhe që nuk e shoh se do zgjidhet shumë shpejt do t’i bëjë dëm të jashtëzakonshëm PD-së për ardhjen në pushtet. Nëse shohim, sot të dy këta e kanë bërë mbret Ramën që është në kolltukun më të madh dhe të rehatshëm, sepse opozita është përçarë. Këta i kanë bërë shërbim Ramës, që nuk ia ka bërë njeri”.
Hajdari sjell në vëmendje akuzat ndaj saj kur mbajti mandatin, të cilin e justifikon me interesin kombëtar, por që i kushtoi dëbimin nga PD-ja. Ndërkohë që sot Berisha dhe Basha akuzojnë njëri-tjetrin se kanë marrë vendime të gabuara.
“Është ironike që Berisha akuzon Bashën për faktin se ka marrë vendime të gabuara dhe sot që jam larguar, e dëbuar nga PD-ja është se kam marrë vendime të drejta nga pikëpamja historike. Isha unë ajo që thoja që të mos bojkotonim zgjedhjet.
Ata mendonin se duke ia dhënë gjithë pushtetin Ramës do ta sillnin në pushtet. Kjo shihet qartë, e shoh si diçka që PD-ja ende nuk ka reflektuar mbi vendimet e saj. Këta po i shërbejnë Ramës si kurrë më përpara. Nëse qëndrova në Kuvend vetëm, ishte sepse demokracia nuk bazohet mbi bojkotin dhe lënien e mandatit. Shumë njerëz u dëbuan nga PD-ja në momentin që mbajta mandatin. Dhe më vonë, u akuzova që ishte një vendim që mbajti në pushtet Ramën. PD-ja nuk ka bërë reflektim të thellë për vendimet e saj. Të dy i merrnin vendimet dhe sot i shohim duke e përçarë partinë akoma më shumë. Herët a vonë, demokratët do ta kuptojnë që PD-ja ka më shumë vlerë se dy kryetarët e saj”.
Në këto kushte, Hajdari tha se synon rikthimin e saj në PD për çuar përpara të reformave, sidomos atë zgjedhore, për të cilën edhe u investua kur ishte deputete, por edhe për shkak të lidhjes historike, siç e quajti ajo me babain e saj Azem Hajdari.
“Fakti që vazhdoj të flas për këtë temë tregon që kam dëshirë që PD-ja si parti që ka qenë dhe është e krijuar, ndjej lidhje historike nga babai im e këtë nuk e veçoj dot. Kjo nuk më ndalon mua të marr vendimet e mia dhe të ndaj interesin e Shqipërisë dhe partisë. Nëse kam marr një vendim mbi interesin e partisë dhe i mbështetur nga aleatët tanë, nuk duhet të më çojë të mos merrem më me PD-në apo ndodhitë në Shqipëri që jam duke ndjekur hap pas hapi situatën dhe të zgjidhim disa çështje që duam t’i çojmë përpara si reforma zgjedhor që nuk ka vazhduar përpara. Një gjë është vota e Diasporës. Përfshirja e Diasporës në zgjedhjet e ardhshme dhe listat e hapura do ta bënin sistemin zgjedhor demokratik dhe do i hiqnin forcën kryetarit të partisë”.