Një vit burg për shefin apo kolegun që fyen, kërcënon ose poshtëron në ambientet e punës. Kjo është një nga risitë e propozuara në Projekt-Kodin e ri Penal të Maqedonisë së Veriut, i cili synon ta trajtojë dhunën psikologjike dhe abuzimin në marrëdhëniet e punës si vepra penale.
Sipas propozimit, fyerja, presioni psikologjik dhe sjelljet abuzive në ambientet e punës nuk do të konsiderohen më thjesht shkelje administrative apo mosmarrëveshje mes punonjësit dhe punëdhënësit, por mund të ndëshkohen me gjobë ose deri në një vit heqje lirie. Nisma synon të forcojë mbrojtjen ligjore të punëmarrësve nga sjelljet poshtëruese dhe kërcënuese në vendin e punës, duke vënë në qendër të vëmendjes dinjitetin dhe integritetin psikologjik të tyre.
Presioni i vazhdueshëm, intimidimi dhe poshtërimi nga eprorët apo kolegët janë problematika me të cilat përballen shumë punonjës, por që shpesh nuk raportohen për shkak të frikës nga humbja e vendit të punës apo pasojat në karrierë. Propozimi i Maqedonisë së Veriut rikthen në vëmendje edhe situatën ligjore në Shqipëri, ku ngacmimi dhe abuzimi psikologjik në ambientet e punës mbeten çështje që kërkojnë diskutim mbi efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes së punëmarrësve.
Në këtë kontekst, shtrohet pyetja nëse edhe Shqipëria duhet të shqyrtojë ndryshime ligjore për ta trajtuar dhunën psikologjike dhe poshtërimin në vendin e punës si vepra penale, duke garantuar mbrojtje më të fortë për dinjitetin e punonjësve.







