Pas 14 orësh seancë maratonë, Kuvendi ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2027, me 80 vota pro të mazhorancës socialiste dhe 25 vota kundër nga opozita. Buxheti, me një vlerë prej rreth 10 miliardë eurosh, u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Për socialistët, buxheti i vitit të ardhshëm përfaqëson një rritje të investimeve publike dhe të mbështetjes sociale. Ndërkohë, deputetët e opozitës e kundërshtuan atë, duke e cilësuar “kriminal” dhe duke ngritur shqetësime për mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike.
Gjatë diskutimeve, kritikat e opozitës u përqendruan kryesisht te mungesa e konsultimit me bizneset, shpërndarja e parave dhe kostot shtesë që, sipas tyre, paketa fiskale do të sjellë për qytetarët dhe sipërmarrjen. Krahas buxhetit, Kuvendi miratoi edhe projektligjet kryesore të paketës fiskale 2027. Projektligji për tatimin mbi të ardhurat u miratua me 80 vota pro dhe 25 kundër, ndërsa ndryshimet në ligjin për TVSH-në morën 80 vota pro dhe 24 kundër.
Edhe ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore u miratuan me 80 vota pro dhe 24 kundër. Për ligjin e akcizave votuan pro 80 deputetë dhe kundër 25 të tjerë. Ndërkohë, projektligji për strehimin social u miratua me 79 vota pro, 25 kundër dhe një abstenim, të dhënë nga deputetja Greta Bardeli. Miratimi në parim i buxhetit dhe paketës fiskale shënon një tjetër hap në procesin parlamentar për përcaktimin e politikave ekonomike dhe financiare të vendit për vitin 2027.







