Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës renditet i pari në Evropë për rritjen e trafikut të pasagjerëve në kategorinë e aeroporteve të mëdha, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI Europe), TIA ka regjistruar një rritje prej 23.3% të numrit të pasagjerëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Kjo ecuri e vendos aeroportin e kryeqytetit në krye të renditjes evropiane, përpara disa aeroporteve të rëndësishme ndërkombëtare, duke dëshmuar zgjerimin e kërkesës për udhëtime ajrore drejt dhe nga Shqipëria.
Në vendin e dytë renditet Aeroporti i Tel Avivit, me një rritje prej 22.6%, i ndjekur nga ai i Tashkentit me 15.8%. Në vijim pozicionohen Aeroporti i Krakovit me 14% dhe Aeroporti i Venecias me 13.2%.
Performanca e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës vjen në një periudhë të zgjerimit të vazhdueshëm të lidhjeve ajrore të Shqipërisë me destinacionet ndërkombëtare, ndërsa vendi po konsolidon pozicionin si një destinacion turistik dhe një pikë gjithnjë e më e rëndësishme e transportit ajror në rajon.
Rritja prej 23.3% konfirmon dinamikën pozitive të trafikut ajror dhe ecurinë e TIA-s në tregun evropian të aviacionit.







