Bizneset që operojnë në sektorin ushqimor mund të përballen me gjoba më të larta për shkeljet e standardeve të higjienës, gjurmueshmërisë dhe vetëkontrollit të produkteve. Ndryshimet parashikohen në projektligjin e ri “Për ushqimin”, i cili është aktualisht në konsultim publik dhe synon të zëvendësojë ligjin në fuqi të vitit 2008. Sipas draftit, gjobat për mosrespektimin e kushteve të higjienës propozohet të rriten nga 300–500 mijë lekë që janë aktualisht, në 400–600 mijë lekë. Penalitete më të larta parashikohen edhe për mosgarantimin e gjurmueshmërisë së produkteve, ku gjoba do të kalojë nga 100–200 mijë lekë në 150–250 mijë lekë.
Projektligji rishikon sistemin e kundërvajtjeve administrative për subjektet që prodhojnë, importojnë, përpunojnë ose tregtojnë ushqime, duke përcaktuar masa të diferencuara sipas natyrës së shkeljes. Për vendosjen në treg të ushqimeve të pasigurta, të dëmshme për shëndetin ose të papërshtatshme për konsum njerëzor, gjoba minimale propozohet të rritet nga 300 mijë në 400 mijë lekë, ndërsa kufiri maksimal mbetet 500 mijë lekë. Ndërkohë, për ushqimet e pasigurta që përdoren për ushqyerjen e kafshëve, penalitetet rriten nga 100–200 mijë lekë në 200–300 mijë lekë.
Rritje parashikohet edhe për shkeljet e kërkesave të vetëkontrollit, me gjoba nga 150 mijë deri në 250 mijë lekë, kundrejt 100–200 mijë lekëve që parashikohen aktualisht. Ndryshime ka edhe për etiketimin e produkteve ushqimore. Gjoba minimale për shkeljet në këtë drejtim rritet nga 50 mijë në 80 mijë lekë, ndërsa maksimumi mbetet 100 mijë lekë.
Për importimin e ushqimeve në kundërshtim me kërkesat ligjore, penaliteti mbetet i pandryshuar, nga 1 milion deri në 2 milionë lekë. I njëjti interval parashikohet edhe për shkeljet që lidhen me regjistrimin e stabilimenteve ushqimore. Përtej gjobave, projektligji parashikon edhe pezullimin ose tërheqjen e regjistrimit apo miratimit të stabilimentit, në rastet kur një produkt ushqimor i vendosur në treg rezulton se ka shkaktuar dëme në shëndetin e njeriut ose përbën rrezik potencial për jetën. Gjobat do të vendosen nga autoritetet kompetente, sipas fushave të përgjegjësisë, ndërsa të ardhurat e mbledhura do të kalojnë në buxhetin e shtetit.







