Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon rritjen e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve në Shqipëri, nga 417 që janë aktualisht në 519, përmes shtimit të 102 pozicioneve të përhershme. Propozimi është pjesë e një studimi për rishikimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve për periudhën 2026–2030, me synim përballimin e fluksit të çështjeve gjyqësore dhe reduktimin e dosjeve të prapambetura. Sipas relacionit të KLGJ-së, nga 417 vende të miratuara në sistemin gjyqësor, aktualisht janë 343 gjyqtarë në organikën faktike, ndërsa vetëm 309 janë efektivisht në detyrë. Diferenca prej 108 gjyqtarësh lidhet me 74 vende vakante dhe 34 njësi ekuivalente me kohë të plotë pune, të cilat nuk janë të disponueshme për shkak të angazhimeve ose mungesave funksionale.
Studimi vlerëson se vetëm plotësimi i vendeve vakante nuk mjafton për të garantuar kapacitet të qëndrueshëm gjykues, ndaj propozohet një ndërhyrje strukturore në organikën e sistemit. Nga 102 pozicionet e reja të përhershme, 84 parashikohen si vende operacionale, ndërsa 18 të tjera si rezervë funksionale. Konkretisht, 64 vende të reja do t’u shtohen gjykatave të shkallës së parë dhe 20 gjykatave të apelit. Pjesa më e madhe e shtesave në shkallën e parë do të përqendrohet në Tiranë. Për juridiksionin e përgjithshëm propozohen 18 gjyqtarë të rinj në kryeqytet, 6 në Durrës, 5 në Elbasan, 6 në Fier, 3 në Korçë, 3 në Shkodër dhe 3 në Vlorë. Ndërkohë, për juridiksionin administrativ parashikohen 16 vende të reja në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 2 në atë të Lushnjës. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të përfitojë gjithashtu 2 pozicione të reja. Në nivelin e apelit, 6 gjyqtarë shtesë propozohen për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, 12 për Gjykatën Administrative të Apelit dhe 2 për Gjykatën e Posaçme të Apelit.
9 gjyqtarë shtesë në Gjykatën e Lartë
Përveç rritjes së organikës së përhershme, studimi evidenton nevojën për një kapacitet të përkohshëm prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë. Kjo paketë do të kishte një mandat të vetëm, të parinovueshëm dhe do të fokusohej në trajtimin e një kategorie të përcaktuar çështjesh, me qëllim reduktimin e stokut të akumuluar. Megjithatë, aktivizimi i këtij mekanizmi kërkon vlerësim të posaçëm kushtetues dhe ligjor, si dhe krijimin e bazës normative përkatëse. KLGJ thekson se propozimi nuk përbën autorizim për emërime të menjëhershme jashtë procedurave dhe garancive ligjore.
Kostoja vjetore, 1.22 miliardë lekë
Rritja e numrit të gjyqtarëve do të kërkojë edhe shtimin e administratës gjyqësore, në mënyrë që kapacitetet e reja të jenë funksionale. Studimi parashikon një minimum prej 336 punonjësish jogjyqtarë për 102 pozicionet e përhershme, si dhe 56 punonjës të tjerë për paketën e përkohshme të Gjykatës së Lartë. Sipas përllogaritjeve të Departamentit të Programimit dhe Administrimit të Buxhetit pranë KLGJ-së, efekti financiar vjetor për pagat e 102 gjyqtarëve llogaritet në 424 milionë lekë, ndërsa për 336 punonjësit jogjyqtarë në 656 milionë lekë. Ndërkohë, paketa e përkohshme në Gjykatën e Lartë do të kushtonte rreth 48 milionë lekë për 9 gjyqtarët dhe 93 milionë lekë për 56 punonjësit mbështetës.
Në total, efekti financiar për një vit buxhetor përllogaritet në rreth 1 miliard e 220 milionë lekë.
Zbatimi i propozimeve parashikohet të bëhet gradualisht gjatë periudhës 2027–2030 dhe të kushtëzohet nga disponueshmëria e kandidatëve, personelit mbështetës, financimit buxhetor dhe infrastrukturës së nevojshme. Studimi do t’u përcillet për mendim Këshillave të Gjykatave, Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave, si dhe do t’i nënshtrohet konsultimit me palët e tjera të interesuara. Pas përfundimit të këtyre procedurave do të vijojë procesi për përcaktimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve në vend.







