Kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë e përfshirjes së Japonisë në projektin e hekurudhës që synon të lidhë Durrësin me Prishtinën dhe më pas me Nishin, për të vijuar drejt Europës Qendrore. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se këtë mundësi e ka diskutuar disa herë me kryeministrin e Kosovës, duke e konsideruar Japoninë një partner potencial për realizimin e këtij investimi strategjik.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, projekti ka rëndësi jo vetëm për lidhjet infrastrukturore dhe transportin rajonal, por edhe për sigurinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Rama theksoi se Porti i ri i Durrësit do të ketë një degë të dedikuar tërësisht për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s, çka i jep hekurudhës një dimension të rëndësishëm strategjik.
“Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj. Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt”, u shpreh Rama.
Propozimi për përfshirjen e Japonisë vjen në kuadër të përpjekjeve për të gjetur partnerë ndërkombëtarë për zhvillimin e korridorit hekurudhor, i cili synon të forcojë lidhjet mes Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit, duke krijuar një dalje të rëndësishme drejt tregjeve të Europës Qendrore.







