Kryeministri Edi Rama e cilësoi historik projektbuxhetin e vitit 2027, duke theksuar se për herë të parë buxheti i shtetit arrin në nivelin e 10 miliardë eurove. Deklaratat u bënë gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku po shqyrtohen në parim projektbuxheti i vitit të ardhshëm dhe paketa fiskale.
Sipas kreut të qeverisë, rëndësia e buxhetit nuk lidhet vetëm me vlerën e tij financiare, por edhe me masat që synojnë lehtësimin e kostos së jetesës për qytetarët. Rama deklaroi se përmes këtij buxheti synohet të lehtësohet barra fiskale për shtresën e mesme, ndërsa do të vijojë rritja e mbështetjes financiare për pensionistët dhe kategoritë në nevojë.
“Buxheti është historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë buxheti prek 10 miliardë euro. Por ky buxhet është i rëndësishëm edhe për faktin se shumica qeverisëse, falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë, me këtë buxhet ul atë që është fjala kyçe në Shqipëri: koston e jetesës”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se ekonomia shqiptare është trefishuar, ndërsa në vijim iu referua edhe raportit të progresit, duke e cilësuar atë si një argument për vijimin e punës së qeverisë. “Raporti i progresit i thotë të tëra arsyet pse ne duhet të vazhdojmë punën tonë”, deklaroi Rama.
Projektbuxheti 2027 dhe paketa fiskale pritet të përcaktojnë drejtimet kryesore të politikave ekonomike dhe financiare të vendit për vitin e ardhshëm.







