Qeveria vendosi sot që të riaktivizojë Bordin e Transparencës për çmimet e karburanteve, pasi çmimet kanë qëndruar për më shumë se dy javë mbi nivelin e 222 lekëve për litër.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se ky hap vjen në zbatim të një akti normativ paraprak.
Sipas saj, çdo herë që çmimi i karburanteve kalon pragun prej 220 lekësh, aktivizohet procedura për reduktimin e akcizës me qëllim lehtësimin e çmimit për qytetarët.
Ministrja sqaroi se e vetmja rrugë ligjore për të vënë në lëvizje këtë mekanizëm lehtësues ishte pikërisht ringritja e Bordit të Transparencës.
“Duke qenë se çmimi prej më shumë se dy javësh qëndron në nivelin 222 lekë për litër dhe duke qenë se ne kemi marrë një vendim paraprakisht nëpërmjet një akti normativ, ku sa herë që çmimi të kalojë 220 lekë, ne do aktivizojmë një mekanizëm për reduktimin e akcizës me qëllim që çmimi i karburanteve të reduktohet, atëherë mekanizmi i vetëm nëpërmjet të cilit ne mund ta aktivizojmë këtë mekanizëm, pra për reduktimin e akcizës, ishte ringritja e bordit të transparencës”, tha ajo.
Ibrahimaj shtoi se “do të fillojmë të monitorojmë çmimet e karburanteve në mënyrë të vazhdueshme në zbatim të legjislacionit përkatës për marzhet e çmimeve”.
Fjala e plotë e ministres Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së Qeverisë
Edhe në konferencë për shtyp të javës së kaluar morëm një vendim, të cilin në fakt e kemi diskutuar prej disa kohësh, për riaktivizimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve. Në fakt, edhe në konferencë për shtyp të javës së kaluar ne diskutuam dhe u pyetëm mbi ngritjen e bordit. Qëndrimi deri pak më parë ishte, se ishim të pavendosur për ngritjen e tij. Megjithatë, duke qenë se çmimi prej më shumë se dy javësh qëndron në nivelin 222 lekë për litër dhe duke qenë se ne kemi marrë një vendim paraprakisht, nëpërmjet një Akti Normativ, ku sa herë që çmimi të kalojë 220 ALL, ne do të aktivizojmë një mekanizëm për reduktimin e akcizës, me qëllim që çmimi i karburanteve të reduktohet, atëherë mekanizmi i vetëm nëpërmjet të cilit ne mund të aktivizonim këtë mekanizëm, pra për reduktimin e akcizës, ishte krijimi, ringritja e Bordit të Transparencës.
Ndaj sot morëm vendimin për ringritjen e këtij bordi dhe do të fillojmë të monitorojmë çmimet e karburanteve në mënyrë të vazhdueshme, sipas, në zbatim të legjislacionit përkatës për marzhet e çmimeve, të cilat ju tashmë jeni në dijeni.
Afati është deri në përfundimin e vlerësimit tonë mbi nevojën për të pasur Bordin e Transparencës. Pra, ligji neve na lejon që, nëpërmjet shpalljes së gjendjes të posaçme në tregun e hidrokarbureve, ne mund ta ngremë bordin, do ta bëjmë në monitorim dhe në analizë tregun dhe nuk ka një afat për mbylljen e tij. Sigurisht që unë i qëndroj asaj që thashë javën e kaluar, bisedat që kemi bërë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ku, kur situata duket se është e qëndrueshme dhe kemi një ristabilizim të çmimit në një nivel të caktuar, atëherë nuk ka nevojë për mekanizma monitorues shtesë. Megjithatë, siç e thashë, qëllimi i vendimit të Këshillit të Ministrave sot për ngritjen e bordit është më së shumti për aktivizimin e mekanizmit të reduktimit të çmimit nëpërmjet përdorimit të reduktimit të akcizës.






