Dy gjykatat speciale të shkallës së parë dhe apelit, për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, po ngrihen paralelisht me Prokurorinë e Posaçme, ku së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit, përbëjnë atë që quhet SPAK.
Ngritja e SPAK shënon edhe finalizimin e reformës në drejtësi pas pesë vitesh rezistencë, pengesa, grindje, akuza, përpjekje për ta sabotuar dhe angazhim nga SHBA-BE.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, tre ditë para mbylljes së vitit 2018, ka vendosur nisjen e procedurave për formimin e dy gjykatave speciale, duke i paraprirë kësisoj formimit të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas vendimit, të gjithë gjyqtarët aktualë në detyrë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe të Apelit, kanë të drejtë të ushtrojnë përkohësisht detyrën pranë Gjykatës së Posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas shkallëve. Gjyqtarët duhet të plotësojnë vetëm dy kushte: Të shprehin interesin me anë të një kërkese me shkrim drejtuar KLGJ për të ushtruar detyrën pranë gjykatave të posaçme si dhe të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve për vete dhe familjarët. Pra, të gjithë gjyqtarët e krimeve të rënda janë automatikisht kandidatë për t’u bërë pjesë e dy gjykatave speciale, me kushtin që të shprehin interesin dhe të heqin dorë nga privatësia. Konkretisht, janë kandidatë potencialë për t’u bërë pjesë e Gjykatës Speciale të Shkallës së Parë janë
Sandër Simoni, Liljana Baku, Miljana Muça, Etleva Deda, Bib Ndreca, Daniela Shirka, Dritan Hallunaj, Irena Gjoka, Marsela Balili, Ardit Mustafaj, Fran Prendi etj.
Ndërkaq, kandidatë potencialë për Gjykatën Speciale të Apelit janë Nertina Kosova, Albana Boksi, Dhimitër Lara, Dhurata Haveri, Gurali Brahimllari, Gjovalin Përnoca, Idriz Mulkurti, Sokol Binaj, Nure Dreni, Saida Dollani dhe Fehmi Petku.
Kushti i sikletshëm
Të gjithë kandidatët potencialë duhet të dorëzojnë privatësinë për t’u bërë pjesë e gjykatave speciale. Krahas shprehjes së interesit, kandidatë duhet të japin pëlqimin me shkrim për kontrollin e vazhdueshëm të pasurisë, për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare si dhe për kontrollin e të gjitha komunikimeve vetjake.
Po ashtu, familjarët e kandidatëve, firmosin një deklaratë, përmes të cilës pranojnë kontrollin periodik të llogarive bankare dhe telekomunikimeve vetjake. Gjyqtarët dhe familjarët e tyre ndalohet të mbajnë telefon celular të dytë apo adresë poste elektronike alternative. Para emërimit, ata bien dakord të përdorin vetëm ato numra telefoni dhe adresa poste elektronike që do kontrollohen dhe nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik.
Nëse një gjyqtar special ndryshon numrin e telefonit apo komunikon me një numër apo adresë tjetër elektronike, ndaj tij merren masa deri në largim nga detyra.
Struktura të tjera të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të monitorojnë në vazhdimësi të gjitha komunikimet dhe lëvizjet në pasuri të gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre. Çdo lëvizje dhe komunikim i dyshimtë raportohet në Prokurorinë e Posaçme. Ky është edhe kushti që mund të stepë gjyqtarët aktualë të krimeve të rënda për t’u bërë pjesë e Gjykatave Speciale.
Vendimi
Sipas vendimit, të gjithë gjyqtarët aktualë në detyrë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe të Apelit, kanë të drejtë të ushtrojnë përkohësisht detyrën pranë Gjykatës së Posaçme.
Finalizimi
Dy gjykatat speciale të shkallës së parë dhe apelit, për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, po ngihen paralelisht me Prokurorinë e Posaçme,
Kandidatët potencialë për Gjykatën Speciale të Shkallës së Parë
- Sandër Simoni
- Liljana Baku
- Miljana Muça
- Etleva Deda
- Bib Ndreca
- Daniela Shirka
- Daniela Shirka
- Dritan Hallunaj
- Irena Gjoka
- Marsela Balili
- Ardit Mustafaj
- Fran Prendi
- Luan Hasneziri
- Klodian Kurushi
- Iliriana Olldashi
Kandidatët potencialë për Gjykatën Speciale të Apelit
- Nertina Kosova
- Albana Boksi
- Dhimitër Lara
- Dhurata Haveri
- Gurali Brahimllari
- Gjovalin Përnoca
- Idriz Mulkurti
- Sokol Binaj
- Nure Dreni
- Saida Dollani
- Fehmi Petku
Diskutimet në KLGJ për Gjykatën Speciale
-Dritan Hallunaj: Pyetja është më tepër: -cilat janë hapat që do ndërmarrim ne? Pra nga sot do vijohet me dërgimin e atij akti që ato do marrin përsipër? Apo cilat do të jenë hapat? Se ka një procedurë që nga dispozitat ligjore ka një përplasje po themi, në thonjëza, midis këtyre dispozitave. Pse? Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, neni 162 thotë që gjyqtarët e krimeve të rënda, brenda dy javëve nga konstituimi i Këshillit duhet të nënshkruajnë një deklaratë. Ndërsa Kushtetuta e Republikës, në nenin 179, pra tek dispozitat kalimtare, pika 8, thuhet që gjykata e shkallës së parë dhe e krimeve të rënda do të emërojnë, funksionojnë dhe ushtrojnë kompetencat e gjykatës së shkallës së parë brenda 2 muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Duke referuar pra tek ligji “Për statusin…”, nëse do bëjmë një analogji me krijimin e SPAK-ut dhe prokurorisë antikorrupsion, themi se kemi një farë… pra duhet të bëjmë kujdes me këto hapat, pasi nëse ne atyre do t’i japim dy javë kohë dhe pastaj ne do të shprehemi nëse ato do të quhen si gjykata apo merr emërtimin, ndryshon emërtimi nga gjykata e krimeve të rënda në emërtimin gjykata antikorrupsion, ato nuk kanë prokurori të tillë apo nuk kanë përfaqësues të akuzës. Pra këtë doja të dija, pra pas dy javësh do të jetë emërtimi gjykata antikorrupsion apo do vijojmë me gjykatën e krimeve të rënda. Kjo është pjesa që duhet të diskutojmë.
-Brunilda Kadi: Ajo që ngre kolegu si diskutim, patjetër që është shumë e rëndësishme, që ato duhet të funksionojnë në një kohë sepse do jetë edhe problemi i kalimit/të transferimit të çështjeve konkrete që do kenë nëpër duar gjyqtarët e krimeve të rënda që janë sot. Kështu që, kam përshtypjen që ne thjesht sot po nisim procedurën dhe pastaj e gjithë procedura do t’i përfshijë të gjitha diskutimet. Nuk e di tani. Ky është mendimi im.
-Brikena Ukperaj: Duke u bashkuar mendimit të dy kolegëve, e rëndësishme është që edhe për shkak të hierarkisë së akteve, ne do respektojmë parimin kushtetues që, brenda 2 muajve nga momenti i krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor duhet të bëhet kalimi nga Gjykata e Krimeve të Rënda tek gjykata e posaçme për gjykimin e veprave të tilla. Kështu që, sot fillojmë procedurën, me qëllim që gjyqtarët të plotësojnë formularët, edhe familjarët e tyre, sepse është kusht paraprak për caktimin e përkohshëm.
-Ilir Toska: E vetmja gjë që do desha ta theksoja është që ne duhet të fillojmë procedurat që të krijojmë institucionin/gjykatën. Kështu që nuk kuptoj këtë pjesën që është dyjavëshi apo dymuajshi. Ato kanë të bëjnë pikërisht me çështjen e krijimit brenda dy javëve apo çështjen e krijimit brenda dy muajve. Ne duhet të fillojmë menjëherë ta krijojmë këtë dhe që të krijojmë këtë institucion, duhet të fillojmë të bëjmë procedurat që të arrijmë deri tek krijimi. …Që të mos kapërcejmë afatin, por të bëjmë të gjitha procedurat e nevojshme, që ta krijojmë.
-Naureda Llagami: Atëherë, ajo që u tha edhe nga kolegët, ky hapi i parë që Këshilli do ndërmarri për të filluar konstituimin e gjykatës së re. Atë që legjislatori ka specifikuar në nenin 162 është që, për të filluar krijimin e një gjykate të re, duhet marrë pëlqimi paraprak dhe thelbi i kësaj vendimmarrjeje është inicimi i marrjes së pëlqimit paraprak. Në momentin që ne do të na administrohen të gjithë formularët me vlerësimin, do jetë një pjesë e diskutimit të një mbledhjeje tjetër në rendin e ditës, që do e përcaktojmë së bashku, për situatën që është krijuar, raporton Report Tv në një kronikë të trasmnentuar prej tij.
Burimi:Dita