Kreu i PD-së së Gramshit, Kodhel Çala, ditën e protestës më 5 mars, është gjobitur nga policia si taksist.
Në një prononcim për “News 24”, Çala ka treguar se ishte nisur për protest drejt Tiranës, por policët e kanë akuzuar se po punon si taksist në ilegalitet.
Çala thotë se e ka paguar gjobën mirëpo shton se kjo është haptas presion për qytetarët që të mos dalin në protestë.
“Në 5 mars isha nisur për protestë në Tiranë. Kisha në makinën time nënkryetarin e degës, një anëtar të Kryesisë dhe 2 sekretarë seksionesh. Papritur më ndalon patrulla e policisë, në afërsi të Cërrikut. E ndaloj makinën dhe më kërkojnë dokumentet. Ia dhashë. Pasi i verifikoi dhe ishin në rregull, erdhi tek dera polici dhe më tha dil dhe hap bagazhin. Vajta e hapa. E kontrolluan bagazhin nga të gjitha anët, s’kishte gjë për të dyshuar, e mbylla, polici u largua dhe diç po shkruante. Unë u afrova dhe i thashë a mund ta di çfarë po shkruani se duhet të më sqaroni. Tha për ju kemi të dhëna që punoni taksist dhe do shkoni në komision. U çudita, qesha me vete, e morën vesh dhe ata që kisha në makinë dhe i thashë unë nuk punoj taksi. Unë jam filani, siç e pe tek dokumentet, dokumentet janë të rregullta, unë nuk punoj taksi. Unë po iki për protestë. Jo ne kemi të dhëna që ju punoni taksi dhe siç e shikoni unë kam dalë në komision, kam paguar tashmë edhe gjobën. Por çka më bëri përshtypje, ishte se polici kishte një indicie, me sa kuptova”, tregoi Çala.
Kreu i degës së PD-së në Gramsh shtoi se edhe ata në komision janë habitur kur e kanë parë.
“Të gjithë janë çuditur por edhe ndërkohë janë revoltuar se si është e mundur të arrihet deri këtu. Dhe kjo është thjesht për të ndalur protestat mbarëpopullore por duhet ta dinë mirë qeveria në qendër dhe lokale se zëmëratën e popullit nuk mund ta ndalin më. Unë kam shkuar direkt tek komisioni. Mund të them fjalët më të mira për ata të komisionit dhe ata ngritën supet. ‘Ç’është kjo thanë, kjo është ashiqare, është skandal’, kam shumë respekt për ata. Ata thanë nga ta rrotulloni, deri tek minimalja, s’kemi çfarë të bëjmë më tepër”, tha Çala.
Sipas tij, kjo ishte një formë presion ndaj qytetarëve, për t’i frikësuar pasi kur ia bëjnë këtë gjë kreut të degës së PD-së, mund t’ja bëjnë edhe atyre, shkruan Balkanweb.