Në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit, kryeministri Edi Rama u shpreh sot se orari për daljen nga shtëpia do të jetë ende i kufizuar, nga ora 05.00 e mëngjesit e deri në 13.00.
Ai bëri thirrje për të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë rregullat, dhe u shpreh mirënjohës atyre që qëndruan korrektë pa i shkelur ato.
Gjithashtu shefi i qeverisë, u shpreh kundër idesë së izolimit për dy javë.
“Nesër rihapet qarkullimi për ata që shkojnë në punë dhe deri në 1 të drekës do të keni plot tetë orë për të bërë pazar. Shoh që ankoheni për oraret. Keq kur ishin dy orare, keq tani kur kemi një orar më të zgjatur. Me sa duket nuk po kuptohemi akoma. Këto orare nuk janë as për qejf, as për komoditetin e njerëzve, por janë orare të imponuara nga nevoja për përballimin e një lufte, e cila kërcënon të marri me vetë me mijëra jetë njerëzish dhe nuk e kupto se ça lidhje kanë oraret me rrëmujën nëpër tregje dhe mos respektimin e rregullit që të mos dalin në rrugë, të mos rrimë në një vend, të mbarojmë punë dhe të kthehemi në shtëpi.
Të mbajmë radhë në resht, në vijë të drejtë. Disa thoni mbylluni për dy javë pa dalë fare. Po mirë, po për të ngrënë si do ia bëjmë nëse nuk kemi mundësi të bëjmë pazar, të paktën një herë në ditë. Pse të mos zbatojmë rregullat? Pse të mos jemi rigorozë në këtë luftë? Pse nuk na mjaftojnë 8 orë për të blerë bukën dhe ushqimet e tjera dhe për t’u kthyer në shtëpi? Duhet të zgjohemi herët dhe duam të turremi të tërë në orën 10 dhe 12 nëpër dyqane dhe rrugë dhe kjo nuk shkon fare dhe nuk do ta lejojmë.” , u shpreh Rama.