Një ditë pasi zëri i kryeministrit Edi Rama u shfaq në telefonatat që qytetarët tentonin të bënin, ku ju jepte këshilla që të lanin duart apo të mos dilnin nga shtëpia, ka ardhur dhe reagimi i Partisë Demokratike.
Kjo forcë politike dënon këtë veprim të shefit të qeverisë, duke e quajtur si ndërhyrje të privatësisë dhe pengesë për komunikimin normal të tyre.
REAGIM I PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË
Partia Demokratike ka marrë me mijëra ankesa dhe mesazhe nga qytetarët të shqetësuar për vonesa dhe anomali në lidhjet telefonike me familjarët apo miqtë, për shkak të një mesazhi pengues zanor personal të Edi Ramës, që i paraprin telefonatave të tyre.
Në çdo vend, ku Kryeministri shqetësohet për qytetarët dhe jo për propagandën e tij, mesazhet sensibilizuese për shëndetin dërgohen nga institucionet e shëndetit publik, jo nga politikanët.
Partia Demokratike e dënon këtë akt flagrant të ndërhyrjes në privatësinë dhe mundësinë për komunikim normal të qytetarëve nga Edi Rama, që përdor AKEP-in si zyrë propagande të PS.
PD apelon kompanitë celulare që të ndërpresin menjëherë shkeljen e ligjit dhe kushteve të kontratës me klientët dhe të rikthejnë komunikimin e shpejtë dhe normal mes qytetarëve.
Kompanitë celulare, në vend që t’i shërbejnë një individi dhe propagandës personale të tij, mund të luajnë një rol të dobishëm në këto momente kritike për bashkëqytetarët tanë.
Mijëra fëmijë janë duke marrë mësim online dhe kanë nevojë për internet. Shumica dërrmuese e familjeve shqiptare e kanë të pamundur të përballojnë faturën e internetit.
Një masë e dobishme nga kompanitë celulare është të mundësojnë internet falas gjatë krizës për të gjithë njerëzit në nevojë dhe për prindërit e fëmijëve në shkollë, duke siguruar akses të plotë në mësimin online.
Partia Demokratike dënon thirrjen e papërgjegjshme të Edi Ramës për të bojkotuar mediat. Në një vend demokratik, media e lirë është mjeti më i besueshëm i marrjes së informacionit nga qytetarët.
Përmes medias dhe çdo forme tjetër komunikimi, qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë zërin e mjekëve dhe të specialistëve, jo zërin e propagandës apo të kryeministrit në hall për pikët në rënie të pushtetit të tij.
Në vend që të politizojë gjithçka, duke shqetësuar qytetarët dhe duke sulmuar opozitën, Edi Rama duhet të kryejë detyrat e kryeministrit për t’ua lehtësuar qytetarëve dhe personelit shëndetësor këtë moment të vështirë.
Kryeministri ka detyrë që të rrisë buxhetin e nevojshëm për përballimin e kësaj situate. 3