Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit Lorik Cana, ka bërë një apel të rëndësishëm për të gjithë qytetarët, që të mos shfaqin frikë por të tregohen të kujdesshëm.
Video është postuar nga kryeministri Edi Rama, dhe aty shfaqet Cana, i cili ndodhet i vetëizoluar në shtëpinë e tij në Romë.
“Përshëndetje, këtu Loriku nga shtëpia ime në Romë. Tanimë jo vetëm anembanë botës apo në Itali, koronavirusi është edhe në Shqipëri. Disa gjëra shumë të vogla për secilin prej nesh, shumë të rëndësishme për të vepruar dhe jo për të reaguar më vonë ndonjë situatë të papërballueshme. Secili prej nesh, ka në detyrë dhe çdo indidvid ka një detyrë që të respektojë dhe të mundohemi të respektojmë sidomos pjesën e higjenës. Më mirë që tani të bëjmë secili nga një forcë të madhe dhe të dalim nga kjo situatë sa më shpejt. Mirupafshim!,”-shprehet Cana.
Ndërsa Rama krahas videos ka rishkruar edhe njëherë të gjitha këshillat që duhet të ndjekin qytetarët për të penguar infektimin me koronavirus.
“Të ruajmë veten dhe njëri-tjetrin duke kufizuar sa më shumë kontaktet fizike! Të lajmë duart sa më shpesh për jo më pak se 20 sekonda! Të kufizojmë daljet dhe uljet nëpër kafene e restorante, vajtjet në palestra, disko e në mjedise të mbyllura me kontakte të shumta! Të mbrohemi me maskën e arsyes nga INFODEMIA – lajmet, kronikat, komentet, debatet që krijojnë konfuzion, pasiguri, shkurajim,”-shkruan Rama.