Një nga lajmet që bëri më shumë bujë këtë javë është arrestimi i botuesit dhe analistit të njohur Henri Çili.
Ai ra në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Mezhgorani”, së bashku me 34 persona të tjerë.
Kujtojmë se në deklaratën zyrtare që publikoi më pas drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, u citua se Cili ishte takuar bashkë me një zyrtar të lartë të drejtësisë, por emri nuk u zbulua.
Fillimisht të gjithë dyshuan për Ardian Dvoranin dhe më pas për Sokol Sadushin.
Nga ana tjetër, vetë Çili i ka dhënë fund hamendësimeve ndërsa u shpreh se nuk ka takuar asnjë gjykatës apo funksionar të drejtësisë për të ndikuar për vendimet e ardhshme gjyqësore.
“Në lidhje me këto dy çështje për të cilat pretendohet se kam kryer shkelje ligjore, nuk kam takuar asnjë gjykatës, asnjë funksionar të lartë të drejtësisë , as nga unë apo avokatët e studios ligjore. Po ashtu në jetën time asnjëherë nuk kam takuar asnjë gjykatës apo funksionar të drejtësisë për të ndikuar për vendimet e ardhshme gjyqësore”, deklaroi ai në konferencë.