Në Shqipëri botuesi i njohur Henri Çili, i cili u arrestua mbrëmjen e së enjtes nën dyshimet se ka ndërhyrë për të siguruar favore në të paktën dy raste për të dënuar me burgim të përjetshëm, në këmbim të parave, nuk ka dhënë ende dëshmi për Prokurorinë e Përmetit lidhur me akuzat.
Avokati mbrojtës i botuesit, Andi Duraj, i tha Zërit të Amerikës se ai ka qenë në dispozicion në çdo kohë, por deri mesditën e së shtunës zoti Çili nuk është marrë në pyetje nga Prokurori i Përmetit Asllan Bajrami.
Sipas zotit Duraj pritet që Çili të dëshmojë para Gjykatës së Përmetit lidhur me akuzat në sancën për vlerësimin e masës së sigurisë që ende nuk është përcaktuar se kur do të zhvillohet, të dielën apo të hënën. Avokati mbrojtës i Andi Duraj i tha Zërit të Amerikës se “akuzat janë të manipuluara dhe se në gjykatë do të paraqesë prova e fakte në mbrojtje të klientit të tij”.
Avokati tha gjithashtu se donte të saktësonte se Henri Çili nuk ishte arrestuar, por vetëdorëzuar në polici rreth orës 22 të së enjtes pas një urdhër-arresti të lëshuar në orën 08:15 të po asaj dite.
Henri Çili ra në rrjetën e drejtësisë, ndërsa prokuroria e Përmetit kishte nisur hetimet për një episod transporti lëndësh narkotike nga Shqipëria në Greqi. Mes personave të përfshirë, në këtë hetim, në faza të ndryshme, falë përgjimeve, ishte dhe Gazmir Ajdini, vëllai i bashkëjetueses së Çilit, një person me precedentë të mëparshëm penal.
Pikërisht bisedat e Ajdinit me botuesin dhe opinionistin Çili, zbuluan, sipas dokumentave të prokurorisë, përpjekjet e këtij të fundit për të kërkuar favore pranë sistemit të drejtësisë, për të paktën dy raste. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, i pari i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i dyti me 18 vite burg, me vendim të formës së prerë, për vrasjen e një efektivi të policisë në Lazarat, gjatë aksionit të vitit 2015 kundër kultivimit të marijuanës. Po ashtu dhe, në një tjetër rast, për një të dënuar tjetër po me burgim të përjetshëm. Në të dyja rastet, sipas prokurorisë, rezulton se Çili ka marrë para në këmbim të shërbimit që ai do të kryente.
Dokumentat e hetimit nxjerrin në pah faktin se në mesin e muajit janar, në mjediset e një hoteli në Tiranë, Çili rezulton të ketë biseduar me drejtuesin e një organi të lartë të Drejtësisë të cilit i ka kërkuar që të ndikojë që të trajtoheshin sa më shpejt rastet e të dënuarve për të cilët ai kishte marrë përsipër të ndërhynte. Funksionari i drejtësisë nga ana e tij mësohet t’i ketë premtuar se dosjet e tyre do të jenë mes 50 të parave. Duke qenë se bëhet fjalë për dosje që ndodhen në Gjykatën e Lartë, vëmendja mediatike u përqëndrua te gjyqtari i vetëm i kësaj Gjykate Ardian Dvorani. Ky i fundit mohoi dje në mënyrë kategorike të jetë përfshirë në këtë histori. “Për një gjë jam i sigurtë, që kjo dosje nuk është trajtuar me prioritet, sepse me kompetencat që ushtroj për momentin, si drejtuesi i Gjykatës së Lartë, nëse çështja do përshpejtohej, e para kush do ta shqyrtonte? Dhe nëse këshilltari do ta merrte për ta parë dosjen me prioritet, atë do ta merrte me firmën time”, shpjegoi zoti Dvorani për gazetarët duke mohuar të ketë patur biseda të cfarëdollojshme me Çilin. “Nuk e di kur mund ta kem përshëndetur shumë muaj më parë zotin Çili”, ju përgjigj zoti Dvorani pyetjeve nëse kishte komunikuar me botuesin apo ishte takuar me të. Mbetet mister se kush është funksionari i lartë i drejtësisë dhe pse nuk është vepruar ndaj tij, duke qenë se më së paku ai mund të dyshohet për moskallëzim të krimit për ndërhyrjen që ka patur nga Çili, i cili përfundoi në pranga edhe për këtë episod.
Sipas hetimeve, botuesi Çili, dyshohet për të paktën 6 vepra penale: “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim./VOA/