Presidenca përmes një shkrese zyrtare, informon kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliun si dhe Policinë e Tiranës në lidhje me tubimin me qyetarët që do të zhvillohet më 2 mars. Ndërkaq, në letër, Presidenca bën të ditur se qëllimi i këtij manifestimi paqësor, është ndërgjegjësimi dhe zgjimi i qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur dhe rivendosur sovranitetin e tyre mbi të gjitha institucionet e Republikës.
Ndër të tjera, në letër thuhet se punonësit e Policisë së Shtetit, nuk janë të ftuar të marrin pjesë në këtë manifestim, ndërkohë që Presidenti i Republikës, kërkon nga ana e tyre të merren masat respektive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në datën dhe orarin e njoftuar.
Ndërkaq, në letrën e Presidencës janë zbuluar edhe detaje se si do të jetë tubimi i paralajëmruar nga Kreu i Shtetit.
Mes të tjerash thuhet se “numri i pjesëmarrësve është jashtë çdo parashikimi. Numri i personave të tjerë ndihmës në këtë manifestim është në varësi të kontributit të secilit qytetar që do të shprehë dëshirën dhe angazhimin për të marrë pjesë.
Qytetarët janë ftuar të kenë me vehte Flamuj Kombëtar dhe buqeta me lule mimoze të frekëta që paralajmërojnë ardhjen e pranverës Kuq e Zi për të gjithë shqiptarët e bashkuar kudo janë.
Në këtë organizim do të mbajë fjalën e tij Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dhe personalitete të spikatura publike që dëshirojnë të përcjellin mesazhe, frymëzuar nga motoja e këtij manifestimi, por jo politikan, dhe as ushtarakë aktivë”.
Njoftimi i plotë nga Presidenca:
Njoftim për organizimin e një manifestimi nga Presidenti i Republikës, në datë 2 mars 2020, ora 17:00.
ZOTIT ARDI VELIU
DREJTOR I PËRGJITHSHËM I POLICISË SË SHTETIT
DREJTORISË VENDORE TË POLICISË TIRANË
Të nderuar Drejtues,
Në mbështetjë të nenit 47, 86 pika 1, 88 pika 3, 93, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe referuar procedurave të ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, ju informojmë zyrtarisht se, SH.T.Z. Ilir Meta, në ushtrim të përgjegjësive dhe kompetencave të Tij kushtetuese si President i Republikës, do të organizojë një manifestim paqësor me qytetarët shqiptarë ditën e hënë në datë 2 mars 2020, ora 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tiranë.
Qëllimi i këtij manifestimi paqësor është ndërgjegjësimi dhe zgjimi i qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur dhe rivendosur sovranitetin e tyre mbi të gjitha institucionet e Republikës, të drejta këto, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe parimeve themelore të njohura prej saj.
Një prej qëllimeve të këtij manifestimi është nënshkrimi nga Presidenti i Republikës përpara sovranit (popullit), të dekretit të parë kundër grushtit të shtetit që kërkon të realizojë Kuvendi njëpartiak në dhunim të Kushtetutës me qëllim kapjen në mënyrë antikushtetuese të institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Gjykatës Kushtetuese.
I gjithë ky ndërgjegjësim do të realizohet përmes mesazheve paqësore publike që Presidenti i Republikës do të japë në këtë manifestim.
Motoja e këtij manifestimi me qytetarët do të jetë: “Për Republikën; Për Kushtetutën; Për Kombin; Për unitetin e popullit”.
Sa më sipër, në zbatim të nenit 5 të ligjit të sipërcituar, ju bëjmë me dije se:
- Drejtues i këtij manifestimi paqësor është SH.T.Z. Ilir Meta, me adresë Institucioni i Presidentit të Republikës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, Tiranë. Organizator dhe persona kryesor ndihmës të këtij manifestimi, do të jenë zoti 1. Zoti Bahri Shaqiri, Këshilltar i Presidentit, 2. Zoti Dedë Prenga, Këshilltar i Presidentit, 3. Zoti Shemsi Premçi, Këshilltar i Presidentit, me adresë Institucioni i Presidentit të Republikës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
- Aktiviteti do mbahet më datë 2 mars 2020, ora 17:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe është i hapur.
- Numri i pjesëmarrësve është jashtë çdo parashikimi.
- Numri i personave të tjerë ndihmës në këtë manifestim është në varësi të kontributit të secilit qytetar që do të shprehë dëshirën dhe angazhimin për të marrë pjesë.
- Qytetarët janë ftuar të kenë me vehte Flamuj Kombëtar dhe buqeta me lule mimoze të frekëta që paralajmërojnë ardhjen e pranverës Kuq e Zi për të gjithë shqiptarët e bashkuar kudo janë.
- Në këtë organizim do të mbajë fjalën e tij Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dhe personalitete të spikatura publike që dëshirojnë të përcjellin mesazhe, frymëzuar nga motoja e këtij manifestimi, por jo politikan, dhe as ushtarakë aktivë.
Punonjësit e Policisë së Shtetit, nuk janë të ftuar të marrin pjesë në këtë manifestim, ndërkohë që Presidenti i Republikës, kërkon nga ana juaj që të merrni masat respektive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në datën dhe orarin e njoftuar.
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM
Ornela Zonja