Autoritetet dyshojnë se Tedi B. i cili pretendon se është viktimë e xhelozisë së motrës binjake të së dashurës, ka mbajtur me forcë në hotel edhe motrën e dytë, e cila po përpiqej të ndante binjaken e dashuruar duke kundërshtuar lidhjen për shkak të moshës së madhe. Vajzat janë të moshës 19 vjeç, ndërsa i arrestuari i moshës 37 vjec. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë, por ndonëse policia mendon se në hotel mbrëmjen kur ndodhi e gjitha kjo histori i akuzuari mund të ketë konsumuar drogë bashkë me binjaket, ky version nuk u provua. Në hotel, sipas dëshmive Tedi. B, ka qëndruar me tre femra, por njëra prej tyre edhe pse shfaqet duke dalë në kamera nuk u identifikua. 37-vjeçari sipas dokumentave që Gazeta “Si” disponon, mbahet në paraburgim për veprën penale “heqje e paligjshme e lirisë”, në dëm të njërës prej binjakeve e quajtur Tea.
Gjithçka nisi nga kallëzimi i kësaj të fundit. Siç rezulton në materialet hetimore të poseduara edhe nga Gazeta “Si”, Tea dhe Ana, janë binjake dhe jetojnë me gjyshërit në Tiranë, pasi prindërit u divorcuan. Babai, sipas dosjes që është referuar në Prokurori, përfundoi në burg, ndërsa e ëma u largua nga kryeqyteti dhe jeton në Britaninë e Madhe. Në dhjetor 2019, Tea i drejtohet policisë për të kallëzuar 37-vjeçarin, që sipas saj ajo e kishte njohur nëpërmjet të atit, i cili e kishte shok. Tea ka treguar se pasi kishte pirë kafe me të atin dhe shokun e tij, kishte pirë kafe edhe vetëm. Këtë fakt ia ka treguar edhe të motrës Anës.
Tea: “Pas disa kohësh kuptova që Ana kishte ndjenja për këtë person dhe nga muaji tetor-nëntor 2019 e pyeta Anën për historinë duke i kujtuar se Tedi ishte në moshë të madhe dhe ajo është e mitur. Ka pasur raste kur Tedi vinte me taksi, e takonte dhe ikte. Rasti i fundit ndodhi më 11 dhjetor 2019, rreth orës gjashtë ku mësova se motra Ana ishte takuar me Tedin dhe kishte shkuar në një hotel përballë shkollës “Qemal Stafa”. Shkova në dhomë dhe aty gjeta Tedin me motrën dhe një femër tjetër që nuk e njoh. Femra tjetër doli shpejt nga dhoma. I thashë motrës të kthehej në shtëpi, por ajo nuk donte. Po kështu edhe Tedi shtoi se ajo nuk do vinte me mua”. Motra binjake më tej i ka treguar policisë se ka tentuar ta largojë motrën nga hoteli, por 37-vjeçari nga ana e tij i ka djegur flokët me çakmak. Ai ia ka hequr syzet optike duke ia thyer.
Tea: “Më goditi me shkelma në trup dhe fytyrë. Kam shenja në fytyrë, kokë dhe krah. Nuk më la të dilja nga dhoma, qëndrova në hotel bashkë me ta dhe në orën pesë të mëngjesit, në një moment kur Tedi doli nga dhoma, u largova nga hoteli dhe shkova në burg për të lënë takim me babain. U ktheva sërisht në dhomë për të marrë motrën në hotel, por ajo nuk pranoi. Në orën tetë të mëngjesit u ktheva sërisht në burgun 302, për të takuar babain dhe ai më tha të vija në polici e të bëja kallëzim”.
Menjëherë pas kësaj, policia ka marrë në pyetje motrën binjake, Anën, e cila e ka përshkruar binjaken tjetër si imponuese dhe urdhëruese. Vajza e përshkruan 37-vjecarin si një person që kishte nerva ta dëgjonte dhe si një person komunikues. Për ngjarjen në fjalë, binjakja pranon konfliktin, por e përshkruan si një incident xhelozie. Sipas saj, e motra e urdhëronte dhe kërkonte që të ndahej prej tij.
Ana: “Unë kam kryer marrëdhënie me Tedin me dëshirën time, ditën që ndodhi problemi. Tedi u nxeh me të dhe madje i theu edhe syzet, për të cilat më pas i tha se do t’ia paguante. Edhe për dhunën e ushtruar ndaj motrës tek Blloku i Ambasadave, Tedi ka reaguar në këtë formë për të më mbrojtur. Ai e shtyu dhe motra u rrëzua në tokë, aty u bë sherr dhe Tedi e goditi Anën pa dashje me telefon në fytyrë”.
I arrestuari jep qëndrimin e tij duke pranuar se ishte i lidhur vetëm me njërën nga motrat, me vajzën e quajtur Ana, ndërsa me binjaken tjetër kishte lidhje shoqërore.
Tedi: “Fillimisht jam njohur me Tean, me të cilën kam pasur shoqëri. Por ajo kishte ndjenja ndaj meje. Më pas u njoha me të motrën, me të cilën kam lidhje dashurie. Kam marrë në telefon Tean, të cilës i kam thënë se i kam gjetur një shtëpi me qera pranë Prokurorisë së Tiranës, por ajo nuk e mori pasi pronarja nuk pranoi. Më pas i sygjerova se mund të qëndronin në hotelin E.., përballë “Qemal Stafës” derisa të gjenim një banesë tjetër me qera. Ne qëndruam gjithë natën bashkë edhe me një vajzë të tjerë. Po hanim pica, kur në një moment Tea u bë nervoze, më gjuajti me picë. Mendoj që ajo e bëri të gjithë këtë, për shkak të xhelozisë pasi unë jam i lidhur me të motrën Anën”.
Por policia thotë se nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe e dhomës ku kanë qëndruar tre vajzat dhe i dyshuari, u gjetën kartmonedha të grisura të prerjes 50 euro, dy lugë metalike me mbetje në ngjyrë të bardhe dhe të nxira në pjesën e poshtme si dhe një bombul gazi, si edhe pije Redbull. I arrestuari ka pranuar që ai vetë kishte konsumuar drogë, por jo vajzat që gjendeshin me të. Siç thuhet në dosjen që Gazeta “Si” disponon, në funksion të këtij procedimi sendet e gjetura së bashku me pamjet filmike të hotelit janë dërguar për këqyrje dhe ekspertim kimik, pas dyshimeve se në dhomë është përdorur drogë. Po çfarë thonë vajzat?
Tea: “Kallëzimin e dorëzova pasi mora mendimin e babait. Tedi më mbajti edhe mua në dhomën 203 duke ushtruar dhunë fizike deri në mëngjes. Nuk kam parë drogë në dhomë”. Të njëjtën gjë për përdorimin e drogës ka pohuar edhe motra binjake. Kjo histori tashmë është objekt hetimi në Prokurori dhe ende nuk është e qartë nëse pas konfliktit të binjakes për të shkëputur motrën nga një lidhje me një person në moshë të madhe, gjithçka mund të ketë nisur në të vërtetë gjatë një mbrëmjeje ku është konsumuar drogë. Për një dyshim të tillë, duhen ende prova dhe deklarata bindëse.”