Një ngjarje tronditëse më 1 shkurt në burgjet e Francës.
I riu shqiptar, Mentor Rexha nga Shkodra u gjet i vdekur në qeli, ku sipas autoriteteve francezë ka vrarë veten.
Ndërkohë familja e viktimës, ka hapur dyert e mortit për të birin, i cili humbi jetën në moshë të re, vetëm 36 vjeç.
Nga banesa e tyre që ndodhet në lagjen “Daniel Matlia” të Shkodrës, ata shprehen se djali është dhunuar dhe nuk ka kryer vetëvrasje.
Madje për të vërtetuar të kundërtën e asaj që thonë autoritetet, ku sipas tyre nuk është dhunuar, ata kanë vënë në dispozicion edhe foto ku paraqiten shenjat e dhunës në trupi ne të riut të pajetë.
Familjarët e Rexhës i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare që të sqarojë gjendjen.
“I bëj thirrje shtetit shqiptar që ta zbardhë këtë ngjarje, djali nuk ka kryer vetëvrasje por është dhunuar në burg. Lajmin e kemi marrë nga shokët e tij që na kanë treguar sepse askush tjetër nuk na ka lajmëruar për vdekjen e djalit. Djali kishte një vit që ishte në Francë dhe 6 muaj kishte në burg se akuzohej për djegien e disa makinave. Ka qënë duke folur me vëllain në telefon kur e kanë arrestuar. Gjatë kohës që kemi folur në telefon nuk na ka shprehur shqetësime dhe ne jemi të bindur se nuk ka kryer vetëvrasje. Kërkojmë që të hetohet sepse në trup ka shenja dhune. I bëj thirrje shtetit të më kthejne trupin e djalit dhe të zbardhet ngjarja. Fëmijët i kam rritur me halle” tha Rukine Rexha, nëna e Mentorit.
Ndërsa djali i xhaxhait të tij Selaudin Rexha tha se “Ambasada shqiptare në Francë nuk na është përgjigjur por na është shprehur në mënyrë absurde kur i kemi kërkuar ndihmë dhe të gjitha veprimet janë duke i kryer vëllai i viktimës me të motrën e tij. Akuzat ndaj kushëririt tim janë të pavërteta”.