Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare kryeministri Edi Rama ka folur edhe për ligjin për ndërtimet, pohoi se është i domosdoshëm një reflektim pas tërmetit 6.4 ballë që tronditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit.
Rama theksoi se si pasojë e lëkundjeve nuk u shemben godinat që respektuan projektin por ato që ishin ndërtuar me më shumë kate.
Ai lëshoi dhe një paralajmërim të fortë për të gjithë ndërtuesit që kanë kate pa leje se këto godina ose do të shemben, ose do të përdoren për godina sociale.
Po ashtu Rama nuk la pa shigjetuar dhe atë çka ai e cilëson grupi “KÇK”, “Kap ça të Kapësh”, ku theksoi se në këto raste të abuzimit, ky grup ka gjunjëzuar shtetin.
“Po të bënim një ekspozim të projekteve që miratohen dhe të projekteve që janë zbatuar në realitet, do kishim dy botë krejt të ndryshme.
Ju siguroj se një pjesë e madhe e ndërtesave në Tiranë dhe padiskutim dhe në qytete të tjera, s’kanë lidhje fare me lejet e ndërtimit të miratuara. Nëse do ishin zbatuar projektet e miratuar nga bashkitë, do kishim sot pas 30 vitesh qytete më cilësorë në pikëpamje të urbanistikës. Ajo që ka ndodhur historikisht dhe që ka sjellë dhe situatën e papranueshme të pamundësisë të qindra-mijëra familjeve për të zotëruar pronën e tyre, është tejkalimi i kornizës së ndërtimit.
Kate e shtesa anësh. Arkitektët janë të fundit qe firmosin në projekt. Konstruktorët nuk mund të mos mbajnë përgjegjësi penale kur ndërtohen dhe 2 kate shtesë. E gjitha është e paligjshme, deri tek kriminale. Nuk janë shembur në Durrës godina që kanë respektuar parlamentet. Por godina që me leje ndërtimi janë bërë 3 kate dhe në fakt u ndërtuan 8 kate. Shto ujë e shto miell. Ato morën jetë njerëzish.
Nuk mund të funksionojë dot jashtë përgjegjësisë penale ky sistem. Me gjykatë ata kanë gjunjëzuar shtetin. KÇK nuk e ka lejuar këtë. Por e ka gjunjëzuar shtetin dhe ka favorizuar ndërtuesit. Ajo çka duhet bërë taksative është se çdo volum i ndërtuar për qëllim fitimi, pra flasim për godina me shumë njësi, duhen ose shembur ose sekuestruar për qëllime sociale. Nuk mund të jenë më pronë e atyre që e kanë ndërtuar.”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.