Pas kallëzimit të bërë rreth një muaj më parë në lidhje me koncensionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, SPAK është vënë në lëvizje dhe ka marrë në pyetje mjekun Artan Koni.
Në një deklaratë përpara mediave, ai tha se ka sqaruar dhe llogaritjet përpara prokurorëve, ku shprehet se ky koncension është korruptiv.
“Sot prokuroria më thirri si një prej kallëzuesve të këtij koncesioni, më shumë për të parë detaje, si janë bërë këto përllogaritje. I sqarova si është bërë kjo llogari. Kjo është deklarata që dhashë për prokurorinë.
Nuk mund tju them çdo detaj për shkak të hetimit. Mund t’ju them se ishte një deklaratë për të ndihmuar prokurorët si bëhet llogaritja në fushën e mjekësisë sa i përket sterilizimit. Kemi dyshime se është koncesion korruptiv. Mbetet ta vlerësojë prokuroria a është një koncesion korruptiv dhe kush janë fajtorët nëse ka.
Baza kryesore është llogaria, kostot ekonomike. Një koncesion për të cilën paguajmë 17 mln euro në vit, ndërkohë që vetëm për një set kirurgjikal neve kostoja na del 2.4 euro, ne koncesionet i paguajmë 190 euro. Kjo është baza që kemi në për këtë koncesion korruptiv”, – deklaroi Artan Koni.
Mjeku nuk dha një shifër konkrete të dëmit që ka shkaktuar në buxhet e gjitha kjo, por shtoi se Prokuroria si institucion duhet të përcaktojë nëse ka apo jo dëm financiar.
Gjithashtu ai u shpreh se nuk ka prova të reja në disponim.
“Prokuroria duhet të thotë a ka dëm financiar dhe kush është përgjegjësi për këtë dëm financiar që mund ti jetë shkaktuar buxhetit të shtetit. Sot dhashë detaje për artë kallëzim që bëmë dy javë më parë. Nuk kam prova të reja”- u shpreh Artan Koni.
Për këtë kallëzim pritet të merren në pyetje edhe përfaqësues të Nismës Thurje.