Ditën e sotme Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për ish-kandidatin për kryebashkiak të Shkodrës Valdrin Pjetri.
Pjetri, i akuzuar për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, rrezikon dënimin deri në tre vite burg si dhe mosushtrim për një kohë të caktuar të detyrave publike.
Por mësohet se Pjetri ka arritur të shpëtojë nga hetimi i Prokurorisë së Posacme, SPAK, pasi nuk cilësohet zyrtar i lartë për shkak se nuk arriti ta merrte detyrën.
Ish-kandidati për kryetar bashkie i Shkodrës sipas Prokurorisë së Përgjithshme ka rezultuar i dënuar në Itali në 2003.
Por për tu vërtetuar akuzat e ngritura janë dashur disa muaj, pasi në momentin e arrestimit ai është prezantuar me emrin “Valdrim”, dhe kështu shkak për vonesën u bënë të dhënat për identitetin e tij.
Nga ana tjetër gjurmët e gishtave e kanë nxjerrë zbuluar pasi kanë rezultuar të njëjtat.
Pjetri është arrestuar nga policia e Firences më 27 janar 2003, bashkë me një tjetër shqiptar.
Ndërkohë sipas organit qëndror të akuzës, Pjetri u dënua nga gjykata e Firences për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Sipas Gjykatës së Firences, subjekti Valdrin Pjetri u dënua me vendim të formës së prerë përfundimisht me 18 muaj burg dhe me gjobë të barabartë me 1.000 Euro. Por dënimi u pezulla dhe Pjetri dëbohet me urdhër të Prefektit të Firences nga territori Italian më datë 04 shkurt të 2003 masë e marrë nga Prefekti i Firences. Sipas shkresës, afati i dëbimit përfundoi më datë 2 prill 2015.