Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për punonjësin e Policisë së Burgjeve, Martin Skendaj.
Tri ditë më parë, 22-vjeçari qëlloi për vdekje në ambientet e Poliklinikës Patos, të dashurin e motrës së tij, Manol Rapajn, dhe kushëririn e këtij të fundit, Elis Kapajn. Seanca e djeshme është zhvilluar nga gjyqtarja Adelina Zarka, me dyer të mbyllura.
Gjatë seancës, prokurori Çlirim Sina ka lexuar veprimet hetimore të kryera në vendin e ngjarjes, si dhe dëshmitë e familjarëve të autorit dhe personave të tjerë. Nga këto, burimet thanë se Gjykata vendosi ta lërë të riun në burg.
Akuza që rëndon ndaj tij, është ajo për vrasje. Mësohet se Martin Skendaj ka folur shumë shkurt para Gjykatës, ndërsa ka qenë avokati i tij ai që ka shpjeguar rrethanat e ngjarjes, duke kaluar më tej në kërkesën për zbutje të masës së sigurisë. Avokati ngriti alibinë se i riu qëlloi ndaj Manol Rapajt dhe Elis Kapajt për t’u vetëmbrojtur, pasi po gjendej në goditje të shpeshta nga dy të rinjtë.
I PANDEHURI
Martin Skendaj, ashtu siç edhe pohoi në Polici, ka pranuar krimin e dyfishtë para trupës gjykuese në Fier. Ai ishte me detyrë gardian burgu në Fier, ndërsa vrau me armën e shërbimit dy kushërinjtë 22 dhe 26 vjeç, Elis Kapajn dhe Manol Rapajn, në ambientet e Poliklinikës së Patosit. Seancën e djeshme, Skendaj ka thënë se i vrau të rinjtë, por nuk mund të fliste më shumë.
“Po, i vrava. Nuk mund të flas më shumë”, është shprehur ai. Në përfundim të seancës, Gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg pa afat”. Ngjarja e rëndë tronditi qytetin Patosit, ndërsa dyshohet se shkak u bë lidhja e dashurisë së motrës së autorit me njërin nga viktimat, Manol Rapajn. Ndërkohë, theksojmë se 22- vjeçari ka dalë nga ambientet e Gjykatës me lot në sy.
KONFLIKTI QË ÇOI NË VRASJE
Konflikti që përfundoi me dy të vdekur, ka nisur për shkak të një historie dashurie. Motra e Martinit ka qenë e dashuruar me viktimën, Manol Rapajn.
Mirëpo, familja e kësaj të fundit nuk ka qenë dakord për lidhjen e saj me fqinjin, ndërsa e kanë martuar në fshatin Panahor të Ballshit. Ndonëse vajza u detyrua të niste një jetë të re, duket se nuk i ka shkëputur kontaktet me Manolin.
Madje, sipas dëshmive të banorëve të fshatit Kuqar, ky i fundit shkonte dhe e takonte në fshatin ku ajo ishte martuar. Kjo i ka rënë në sy bashkëshortit të saj, si dhe familjarëve të tij, të cilët kanë bërë edhe kallëzim në Polici.
Më pas, ajo u divorcua dhe erdhi në Kuqar te prindërit, por ata e lanë të jetonte në një banesë më larg nga ajo e tyre. Edhe pse disi më larg, ajo shkonte dhe e takonte në dhomë natën vonë Manolin. Kjo gjë u vu re nga e ëma e viktimës.
Mëngjesin kur ndodhi ngjarja, dy familjet janë zënë përsëri dhe Martini mësohet t’i ketë thënë të atit, “baba, lëre nuk na i ka fajin komshiu, por motra që i shkon në shtëpi”.
Teksa kanë debatuar e janë qëlluar, Martini ka shkuar të marrë mjekim në poliklinikë. Aty në korridor është ndeshur me Manolin dhe kushëririn e tij nga Kashishti.
Përsëri aty janë konfliktuar fizikisht dhe në këto momente, Martini ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi Manolin duke e lënë të vdekur. Më pas ka qëlluar edhe kushëririn. Kushëriri i tij, Elisi, ka mbetur fillimisht i plagosur, por vdiq në spital.
Gazeta Panorama
AUTORI MARTIN SKENDAJ
MANOL RAPAJ
ELIS KAPAJ