Kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e tij gjatë seancës parlamentare duke komentuar pasojat e tërmetit të fortë dhe gjithashtu kërkoi ndjesë që bashkoi dy tema, ligjin e anti-shpifjes dhe gjendjen post-tërmetit.
Ai gjithashtu lavdëroi qeverinë, ministrat dhe deputetët dhe u shpreh se ndihej krenar që ata e përballuan më së miri këtë situatë të krijuar.
“Kërkoj ndjesë për bashkimin e dy temave në një fjalë se s’mund të shmang prioritetin e prioriteve, adresimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit dhe i nevojës për rindërtimin, ndërkohë që patjetër më duhet të them dhe unë dy fjalë lidhur me ligjin kundër shpifjes.
Nuk e di nëse dikush e kishte imagjinuar që qeveria shqiptare do kishte mundur të bënte atë që bëri në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme ku mijëra e mijëra njerëz u gjendën në rruge pa strehë.
Dëshiroj të shpreh dhe njëherë ndjenjën e krenarisë sime për qeverinë që unë drejtoj dhe për shumicën tonë qeverisëse, për gjithë ministrat dhe deputetët e kryetarët e bashkive të angazhuar në vijën e parë në përballimin e pasojave tragjike të tërmetit shkatërrimtar.
Në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme kur mijëra njerëz u gjendën në rrugë, pa strehë. Në Shqipëri ka pasur fatkeqësi natyrore shumë të lehta dhe njerëzit janë kalbur rrugëve nëpër cadra, janë harruar. Në më pak se 10 ditë mbi 13 mijë persona, janë akomoduar në kushte që kurrë më parë nuk i ka patur nje banor i Shqipërisë në fatkeqësi natyrore.
Mbi 4 mijë persona, janë akomoduar në hotele luksi me të gjitha shërbimet si të ishin turistët gjermanë apo norvegjezë të ardhur në Shqipëri, plus me përkujdesjen shëndetësore e vijimin normal të jetës. 3452 familje kanë marrë qeranë për tu akomoduar në kushte shtëpie sipas zgjedhjes së tyre. Për 6178 persona në fshat që me të drejtë e kanë të vështirë të lëvizin nga trualli i shtëpisë është garantuar përkujdesja për cadrat dimërore.
Vlerësimi i dëmeve vazhdon instensivisht, mbi 97 mijë objekte të inspektuara, janë shembur 56 objekte, 49 në Durrës, 4 në Tiranë, 3 në Lezhë.
Kapërcim epokal nga ana e adresimit të shtetit të nevojave të njerëzve të goditur nga fatkeqësia natyrore”, tha Rama.