Ditën e sotme në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ishte e pranishme Fatbardha ku thirri djalin e xhaxhait, Shpëtimin, për t’i kërkuar ndihmë.
Fatbardha vjen nga një fshat i Peshkopisë dhe është vetëm 18 vjeç. Ajo ka dëshirë të vazhdojë shkollën e lartë, por familja e saj nuk e pranon diçka të tillë, madje shpeshherë kanë tentuar edhe ta fejojnë, por për shkak të refuzimit të vazhdueshëm nga ana e saj, kjo gjë nuk është arritur.
Ai e ka ndihmuar dhe mbështetur gjatë sëmundjes së babait të saj, por edhe pas vdekjes së tij, djali i xhaxhait ka qenë gjithmonë shpëtimi për Fatbardhën.
Fatbardha: Babai ka ndërruar jetë, bën gati 5 vite në Qershor, nga një sëmundje e keqe tumor-malinje pankreas. Babai para se të sëmurej nga kjo sëmundje ka qenë edhe me depresion, me sëmundje mendore. Kjo gjë ka ndikuar edhe tek ne fëmijët, duke qenë se ai ushtronte dhunë. Edhe me të vërtetë. unë nuk e di çfarë është figura e mashkullit ose e babait për shembull, që të kem ndjerë ndonjëherë dashurinë e tij. Por në fund të fundit nuk i vë faj, se ai ka qenë me probleme mendore. Ndërkohë është bërë gati një vit që është endur spitaleve, qoftë në shtetëror, qoftë në privat dhe gjendja jonë ekonomike ka qenë dhe është jo e mirë. Edhe për këtë na ka ndihmuar mjaft çuni i xhaxhait, i cili është personi që do thërras sot, Shpëtimi. Ai ka mbuluar pothuajse gjithë shpenzimet financiare të babait. Por dua të vazhdoj tek çështja ime tani. Mua kanë tentuar shumë herë të më fejojnë, mbasi mbarova shkollën e mesme, domethënë kisha shpresë se do e vazhdoja dhe të lartën…
Ardit Gjebrea: Kush ka tentuar të të fejojë?
Fatbardha: Mamaja, të afërmit.