Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar pasditen e sotme një intervistë në emisionin “Përballë. I pyetur nëse do ta zhvillojë tubimin e paralajmëruar më 8 dhjetor ai u shpreh se në kushtet kur vendi po vuan pasojat tragjike të tërmetit të 26 nëntori ka vendosur ta shtyjë për një kohë të pacaktuar.
“Sigurisht që kjo situatë prevalon mbi çdo lloj iniciative tjetër. Tani është momenti i bashkëpunimit, i bashkëveprimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe, me të cilën po ndeshet vendi dhe sidomos mijëra e mijëra familje të qarkut të Tiranës, të qarkut të Durrësit, të qarkut të Lezhës, por edhe në zona të tjera që janë dëmtuar më pak.
Kjo është prioritare dhe sigurisht që nuk është koha dhe nuk është momenti për të krijuar apo për të mbajtur një fokus tjetër. Sigurisht që kjo nuk do të thotë se unë kam ndryshuar mendim se cila është rruga që do të çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë shqiptarët të ndihen zot të vetes së tyre dhe të vendit të tyre. Kjo është vetëm një rrugë dhe është rruga e referendumeve, por natyrisht nuk është koha më 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga terreni, nga ndihma, nga përkrahja që po u bëjnë bashkëqytetarëve të tyre”, u shpreh Meta.