Muaji nëntor kujtohet si muaji në të cilin u nda nga jeta një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike, ish-ministri dhe ish-deputeti Sokol Olldashi.
Dhimbja e madhe rëndon ende tek familjarët e tij, sidomos te nëna Kozeta Mamaqi.
Pas 6 vitesh, fjalët e nënës janë ende shumë prekëse, teksa vajton për humbjen e madhe të të birit.
“E dashur motër, hyri nëntori, muaji, që mori Kolin e ti po e kujton çdo ditë, sepse e deshe fort.
Unë e kujtoj në çdo dite të viteve e flas me të. Flas edhe me Ardin. Ky muaj është muaji, kur të dy vëllezërit u takuan para gjashtë viteve për herë të fundit…Thonë që dhimbja daravitet, por jo, zemër. Ajo të rëndon në shpirt e atje ushtron trysni të paparë. Por, është e vërtetë ajo thënia tjetër, që ia dha njeriut dhe ai e duroi. Unë jam edhe me dhimbjen brenda për ta kujtuar çdo ditë Kolin tim, që e rrita me shumë privime e sakrifica, por që ..,oh Zot!
Faleminderit motër, që vijon ta duash si në të gjallë birin tim!, shkruan Kozeta Mamaqi.
Kujtojmë se Sokol Olldashi humbi jetën më 20 nëntor 2013, në një aksident fatal në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në moshën 41-vjeçare.