Ashtu si e paralajmëroi dhe dje, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka folur për akuzat e ngritura ndaj tij dhe për dënimin e marrë me 3.4 vite shërbim prove.
Ai u shpreh se ka zgjedhur të heshtë për dy vite përballë akuzave të gënjeshtërta sipas tij për të respektuar kështu drejtësinë.
Ndër të tjera ai shtoi se burrat dallohen nga armiqtë që kanë dhe u përball si qytetar i thjeshtë me drejtësinë dhe me politikën ndërsa shushunjat shtoheshin.
PJESE NGA FJALA E SAIMIR TAHIRIT
Pas dy vjet hetimesh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për akuza edhe më të rënda sesa vetë emri, karroca e prishur e dyshimeve mbi mua, ndaloi në stacionin e parë.
Dy vjet hetime brenda prokurorisë dhe gënjeshtra brenda dhe jashtë prokurorisë.
Për 2 vjet me radhë heshta përballë gjithë akuzave të gënjeshtërta. Për të respektuar drejtësinë e për të mos e çuar këtë gjyq nga dyert e drejtësisë tek tavolinat e mediave.
Sepse nuk duhet të ishte një gjyq popullor por një gjyq shembullor i drejtësisë.
E bëra këtë edhe duke ditur sakrificën e madhe të kujtdo që do të donte të më besonte mua, përballë vrullit të pamasë të shpifjeve dhe akuzave.
E të llogarisësh këtu sa gazetarë kanë shfrenuar fantazinë me shpifje e akuza për mua, sa analistë kanë nxjerrë konkluzione të gënjështërta për mua, heshtja ime bëhej çdo ditë më e rëndë.
Por heshta, në respekt të drejtësisë.
E kisha shumë kollaj të mbaja mandatin e deputetit, të rrija në parlament edhe gjatë kohës që hetohesha, e të shfrytëzoja politikën përballë këtyre akuzave. Fundja, siç kanë bërë të gjithë pa asnjë përjashtim përpara meje. Pa asnjë përjashtim.
Kanë vrarë njerëz, kanë vjedhur xhepat e shqiptarëve, dhe nuk janë hetuar e as gjykuar.
Unë bëra të kundërtën. Lash mandatin e deputetit, ndërpreva çdo aktivitet politik, i bindur se çdo drejtësi në sqetullën e politikës, vetëm drejtësi nuk do ishte kurrë.
Dhe vazhdoj besoj ende sot se është më mirë rreziku nga padrejtësia, sesa drejtësinë që ta bën politika, ku rradha e servilave dhe shushunjave vetëm shtohet e shtohet, të gjithë bashkë në kurriz të të njëjtit popull.
U përballa si qytetar i thjeshtë, me të gjithë, drejtësi dhe politikë. Ca që heshttin a thua se unë nuk kam jetuar kurrë, dhe mirë bëjnë fundja. Ca të tjerë që nuk mu ndanë nga fyti me sulme që nga dita e parë që i hyra kësaj punë e deri sot.
Dhe mirë kanë bërë. Burrat dallohen nga armiqtë që kanë.
Unë këtë rrugë zgjodha kur isha në opozitë, këtë rrugë kur isha ministër, e këtë rrugë kam zgjedhur tani.
Vetëm për të vërtetën time.
Që kur nisi ky proces, mbajta mbi kurriz akuza nga më të çuditshmet. Më akuzuan se isha pjesë e një grupi kriminal, se kisha bërë trafik droge, se kisha përfitime deri dhe në 5 milion euro në muaj e se harxhoja 20 milion euro në fushatë elektorale.
Prokuroria e antimafies italiane hetoi. Gjykata italiane gjykoi. E thanë qartë; Saimir Tahiri nuk ka asnjë lidhje me këto akuza.
Karroca e prishur e po të njëjtave akuza ndaj meje, ndaloi në stacionin e parë.
Pas Gjykatës Italiane, edhe ajo Shqiptare vendosi se nuk kam asnjë lidhje me akuzat e trafikut të drogës, grupit kriminal e me çdo çmënduri tjetër të kësaj natyre.
Të gjitha gënjeshtra.
Se nuk kam pasur asnjë telefonatë, asnjë takim, asnjë kontakt, asnjë komunikim, me të gjithë personat që për 2 vjet u quajtën si bashkëpunëtorët e mi në trafik.
Se nuk kam pasur asnjë lidhje me asnjë aktivitet të paligjshëm, e me asgjë të ngjashme që është thënën këto 2 vjet.
Se policia, gjatë kohës që isha unë ministër, i ka kallzuar në Prokurori, dhe pikërisht te Prokuroria e Krimeve të Rënda, personat që më pas u shënuan nga Prokuroria si bashkëpunëtorët e mi.
Se madje ca nga policët që u akuzuan bashkë me mua, nuk kanë qënë në punë as si polic të thjeshtë në Vlorë në kohën kur prokuroria pretendonte se unë bashkë me këta kam ndihmuar për trafik droge.
Këto e shumë shumë gënjeshtra të tjera, ranë poshtë. Fiks siç bëri Prokuroria dhe Gjykata Italiane. Ashtu ndodhi edhe dje.
Ky sigurisht është lajm i mirë për mua. Gënjeshtrat morën një përgjigje. Një herë nga drejtësia italiane, tani edhe këtu.
Një përgjigje, edhe pse as të plotë e as përfundimtare.
Kjo për mua nuk është drejtësi e plotë. Përkundrazi.
Beteja për të vërtetën time ndaloi dje vetëm në stacionin e parë, dhe plot rrugë ka përpara.
Gënjeshtra ka përfunduar xhiron e botëës, kur e vërteta sapo ka veshur këpucët, thotë një shprehje. Ndaj mua do më duhet shumë punë përpara, për të bindur edhe ata që nuk e kanë kuptuar akoma se sa të pavërteta janë thënë deri më sot mbi kurrizin tim.
Gjykata tha se unë kam shpërdoruar detyrën. Vendimi nuk është zbardhur ende, ndaj nuk zgjatem dot shumë, por me aq sa u lexua në sallë, kishte të bënte me faktin që ca kushërinj të mi paskan përdorur emrin tim ndërkohë që unë kam qënë në detyrë, dhe se nuk kam luftuar sa duhet kultivimin e kanabisit.
I lutem zotit të mos jenë këto argumentet.
Ministri i Brendshëm i ka detyrat e qarta, të përcaktuara në ligj, të shkruara të zezë mbi të bardhë e jo me hamendje. Po pres vendimin për të parë se cilin ligj që kishte të bënte me detyrën time, kam shkelur.
Në kulturën time një vendim gjykate nuk komentohet. Vetëm ankimohet. Për më tepër që vendimi as është zbardhur, as është bërë publik. Ndaj me duhet të pres.
Por sigurisht do e ankimoj sapo të zbardhet e të më lindë e drejta ligjore për ta bërë këtë.
Drejtësinë e kam pritur 2 vjet, dhe ende nuk është bërë siç duhet. Do vazhdoj të pres, papushim, të luftoj pa u përkulur kurrë, deri në ditën e fundit.
Nuk kam shpërdoruar për asnjë sekond detyrën time. Përkundrazi, e kam bërë me pasion e përkushtim.
Shëndrova policinë e shtetit nga një isntitucion të degraduar, në insitucionin më të respektuar nga qytetarët. Dhe ata që e degraduan, sot më akuzojnë mua.
Luftuam krimi, me rekorde të pa menduara ndonjëherë. Ata që e zhytën vendin në krim, sot më akuzojnë mua.
E kthyem qarkullimin rrugor në model, për tu marrë shembull edhe nga vendet e rajonit. Ata që e kishin kthyer katrahurë, sot më akuzojnë mua.
Kush mendon që kanabis kishte vetëm në Lazarat, gabohet rëndë. Dhe jo se e them unë, por sepse e vërteta është aty, në dokumentat e policisë dhe prokurorisë.
Unë bëra vetëm gabimin e madh që e thash publikisht, e luftova publikisht në çdo cep të shqipërisë, duke e ditur sesa më shumë ta luftoja atë fenomen, aq më shumë do dilte në publik përmasa e vërtetë e fenomenit.