Bizneset e dëmtuara nga protestat e ditëve të fundit në Tiranë do të përfitojnë dëmshpërblim nga shteti, me mbulim nga 70% deri në 100% të dëmeve materiale, në varësi të madhësisë së biznesit dhe kritereve që do të përcaktohen. Paketa e re e masave u prezantua nga kryeministri Edi Rama, i cili bëri të ditur se synohet të mbështeten financiarisht bizneset e prekura nga thyerjet, grabitjet dhe zjarret.
Sipas Ramës, skema do të përfshijë bizneset me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro. Për bizneset më të vogla parashikohet mbulimi i plotë i dëmeve materiale, ndërsa për ato më të mëdha kompensimi do të jetë të paktën 70%.
“Instrumenti i parë: Akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershme të biznesit të vogël. Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarri. Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjëlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë – në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiron vjetore deri në 140 mijë euro. Kështu bizneset të cilat i kanë depozituar tanimë aplikimet e tyre, bashkëngjitur dokumentacionin e dëmeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nuk do të presin me vite proceset gjyqësore për dëmshpërblimin e tyre. Nga ana tjetër ata që u përfshinë në këto akte ku thyen, shkatërruan, dogjën dhe dëmtuan bizneset, e për të cilët gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin, do të paguajnë secili pjesën e vet të gjobës për dëmet e shkaktuara. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia për mbulimin e pjesës së dëmit kalon te prindërit.”, tha Rama
Përveç kompensimit nga shteti, paketa parashikon edhe përgjegjësi financiare për personat që shkaktojnë dëme gjatë protestave. Sipas propozimit, autorët e dëmeve do të paguajnë pjesën përkatëse të kostove, ndërsa në rastet kur dëmet shkaktohen nga të miturit, përgjegjësia për mbulimin e tyre do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve. Një tjetër element i paketës është projektligji i ri për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve, i mbështetur në parimin “Kush thyen, paguan”.
Ky mekanizëm synon të mos e lërë barrën e dëmeve vetëm mbi buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit, por ta lidhë përgjegjësinë financiare me personat që i shkaktojnë ato. Paketa përfshin gjithashtu ndryshime në ligjin për tubimet dhe në Kodin Penal, me masa më të ashpra ndaj akteve të dhunës dhe shkatërrimit të pronës. Sipas Ramës, synimi është të garantohet e drejta për protestë paqësore, duke ndëshkuar dhunën dhe dëmtimin e pronës publike e private.







