Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se biznesi i vogël nuk do të tatohet deri në vitin 2029, ndërsa paralajmëroi ndryshime në pragun e regjistrimit për TVSH-në, me synimin për të shmangur përdorimin e bizneseve të vogla nga subjektet e mëdha për të ulur detyrimet fiskale. Gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2027 dhe paketës fiskale, Rama u ndal edhe te çmimi i karburanteve dhe taksa e qarkullimit të automjeteve. Sipas tij, synimi është që çmimi i naftës në Shqipëri të përafrohet me atë të vendeve të rajonit, ndërsa detyrimi për pagesën e taksës së qarkullimit të kalojë në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).
“Deri në vitin 2029 nuk do ta taksojmë biznesin e vogël, por për të mos lejuar që biznesi i vogël të përdoret si shteg nga të mëdhenjtë për të ulur detyrimet e tyre, do të ulim pragun e TVSH-së”, u shpreh kryeministri. Rama theksoi se këto ndryshime janë pjesë e reformës fiskale që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë rritjen e ekonomisë.
Një tjetër pjesë e fjalës së kryeministrit iu kushtua pensionistëve. Rama ironizoi opozitën lidhur me mënyrën se si ajo paraqet llogaritjet për pensionet, duke pretenduar se shifrat e përdorura prej saj krijojnë konfuzion.
“Pensionistët ende i bëjnë llogaritë me laps dhe letër, dhe këta honxhoponxhot këtu mendojnë se mund t’i tollovisin me llogaritë e tyre kokëposhtë”, deklaroi Rama.
Deklaratat u bënë në seancën plenare ku Kuvendi po shqyrton në parim projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale, të cilat parashikojnë ndryshime në politikat fiskale dhe financiare për vitin e ardhshëm.







