Bashkimi Evropian po rrit investimet në industrinë e mikroçipave, duke synuar të forcojë pozicionin e tij në garën globale për teknologjinë. Komisioni Evropian ka lançuar më 4 nëntor platformën European Chip Design Platform (EuroCDP), përmes së cilës do të mobilizohen 525 milionë euro për të mbështetur startup-et dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme që projektojnë gjysmëpërçues. Nisma synon të forcojë kapacitetet evropiane në projektimin e mikroçipave, një nga hallkat më strategjike të industrisë teknologjike, duke reduktuar varësinë nga tregjet aziatike dhe duke krijuar një ekosistem më konkurrues brenda BE-së. Sipas Komisionit Evropian, kompanitë evropiane që projektojnë çipa gjenerojnë aktualisht më pak se 1% të të ardhurave globale në këtë segment, pavarësisht kapaciteteve kërkimore dhe burimeve të specializuara njerëzore që disponon kontinenti.
Nga fondi prej 525 milionë eurosh, 440 milionë euro do të akordohen për grante direkte, ndërsa 85 milionë euro do të përdoren për infrastrukturën cloud, shërbimet mbështetëse dhe zhvillimin e mjeteve me kod të hapur. Financimi përbëhet nga 285 milionë euro nga buxheti i BE-së dhe 240 milionë euro nga shtetet anëtare pjesëmarrëse në programin Chips Joint Undertaking.
Platforma do t’u ofrojë kompanive akses në softuerë profesionalë për projektimin e çipave, pronësi intelektuale të gatshme për përdorim, mbështetje teknike dhe infrastrukturë prodhimi. Mbështetja financiare do të variojë nga 100 mijë euro për startup-et në fazat e hershme, për zhvillimin e prototipeve, deri në 16 milionë euro për kompanitë më të avancuara që synojnë komercializimin e produkteve të tyre. EuroCDP do të operohet nga një konsorcium me 12 partnerë, i udhëhequr nga instituti belg i kërkimit shkencor imec. Në kuadër të kësaj platforme, kompania amerikane Synopsys do të ofrojë gjithashtu softuerë për projektimin e çipave të dedikuar për inteligjencën artificiale dhe sistemet me performancë të lartë.
Zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Evropian për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, Henna Virkkunen, deklaroi se platforma do t’u japë startup-eve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme mbështetjen e nevojshme për të kthyer idetë inovative në mikroçipa konkretë.
Nisma vjen në kuadër të Aktit Evropian për Çipat (EU Chips Act), i cili synon që Bashkimi Evropian të arrijë 20% të prodhimit global të gjysmëpërçuesve deri në vitin 2030. Gjykata Evropiane e Audituesve ka vlerësuar në raportin e saj të vitit 2025 se ky objektiv ka pak gjasa të realizohet. Industria globale e mikroçipave vijon të jetë e përqendruar kryesisht në Azi, ku Tajvani dhe Koreja e Jugut kanë një rol dominues në prodhimin e çipave më të avancuar. Përmes EuroCDP, Brukseli synon të ndërhyjë në një hallkë tjetër të zinxhirit të vlerës, projektimin, duke mbështetur jo vetëm kapacitetet prodhuese, por edhe zhvillimin e teknologjisë dhe kompanive që do të furnizojnë industrinë në të ardhmen.







