Banka e Shqipërisë po avancon drejt modernizimit të infrastrukturës së pagesave, përmes projektit TIPS Clone, i cili synon të mundësojë kryerjen e transfertave brenda pak sekondash dhe të krijojë bazën për pagesa të menjëhershme edhe përtej kufijve. Prioritetet e këtij procesi u prezantuan nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, gjatë Konferencës së 8-të Ndërkombëtare mbi Skemat Rajonale të Kartave dhe Infrastrukturat e Tregut Financiar për Pagesat me Vlerë të Vogël.
Në panelin e zëvendësguvernatorëve të bankave qendrore të rajonit, me temë “Pagesat e shpejta në Ballkanin Perëndimor”, Zaçaj foli për arritjet dhe objektivat e Bankës së Shqipërisë në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe integrimin me tregun evropian. Ajo veçoi anëtarësimin e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si një nga arritjet më të rëndësishme të viteve të fundit, duke theksuar se ky proces ka sjellë ulje të ndjeshme të kostove të transfertave ndërkufitare për qytetarët dhe bizneset. Sa i përket projektit TIPS Clone, përfitimet nuk do të kufizohen vetëm te shpejtësia e transfertave. Sipas Zaçajt, infrastruktura e re do të krijojë mundësi për zhvillimin e pagesave të menjëhershme ndërkufitare, ndërsa suksesi i saj do të varet nga përdorimi i gjerë nga qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.
Në këtë drejtim, ndër prioritetet e përmendura janë zhvillimi i pagesave me kod QR, digjitalizimi i pagesave publike dhe zgjerimi i pranimit të pagesave elektronike nga tregtarët, me synimin për të reduktuar përdorimin e parasë fizike. Një tjetër objektiv është ulja e kostove të pranimit të pagesave elektronike përmes rregullimit të tarifave të shkëmbimit për pagesat me karta. Zaçaj theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së kulturës financiare, mbrojtjes së konsumatorëve nga mashtrimet dhe forcimit të besimit te instrumentet digjitale.
Konferenca u organizua nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë, në Tiranë, më 4-5 nëntor 2026. Objektivi i Bankës së Shqipërisë është që qytetarët dhe bizneset të mund të kryejnë pagesa në të gjithë Evropën me të njëjtën shpejtësi, lehtësi dhe siguri si brenda vendit.







