Buxheti i vitit 2027 parashikon 35.15 miliardë lekë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se financimi do të përqendrohet te projektet strategjike, përfundimi i akseve në ndërtim dhe nisja e investimeve të reja.
Dy prej projekteve kryesore, autostrada Tiranë–Durrës dhe aksi Tiranë–Ndroq–Plepa, do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit. Sipas ministrit, kjo skemë synon përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër. Edhe Bypassi i Elbasanit do të kalojë në një skemë të re financimi përmes buxhetit të shtetit, për të mundësuar vijimin dhe realizimin e projektit.
Në fokus të investimeve për vitin e ardhshëm do të jenë gjithashtu Korridori VIII dhe Korridori Blu. Sa i përket këtij të fundit, projektet koncesionare Kashar–Rrogozhinë, Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren janë pjesë e strategjisë për zhvillimin e rrjetit rrugor.
Punimet në segmentin Kashar–Rrogozhinë pritet të nisin në fund të vitit 2026, ndërsa për aksin Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren po punohet për nënshkrimin e kontratave dhe finalizimin e projekteve të zbatimit. Investimet nuk do të kufizohen vetëm te korridoret kryesore. Buxheti i vitit 2027 parashikon financim edhe për hyrjen veriore të Tiranës, e cila synon shmangien e Kamzës, rrugën Berat–Skrapar, si dhe hyrjen verilindore të kryeqytetit, që do të krijojë lidhjen me Rrugën e Arbrit.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar po përgatit projekte të tjera infrastrukturore, për të cilat do të shqyrtohen mundësitë e financimit. Mes tyre janë aksi Koplik–Bogë–Theth, Rruga e Vjosës dhe lidhja Rrëshen–Mirditë. Sipas ministrit Karakaçi, objektivi është ndërtimi i një infrastrukture rrugore moderne, më të sigurt dhe të qëndrueshme, që përmirëson lidhjet mes qyteteve dhe rajoneve të vendit, si dhe integrimin e Shqipërisë në rrjetet evropiane të transportit. Fondi prej 35.15 miliardë lekësh përfaqëson financimin e parashikuar për infrastrukturën rrugore në vitin 2027, në kuadër të strategjisë për modernizimin e rrjetit kombëtar të transportit.







