Këshilli i Ministrave ka miratuar kriteret e reja për kategorizimin e strukturave akomoduese në vend, duke përcaktuar tipologjitë që do të njihen si struktura turistike, si dhe rregulla të reja për zhvillimet e integruara “resort miks”.
Sipas vendimit të datës 5 nëntor 2026, strukturat akomoduese do të ndahen në disa kategori: bujtina, fjetina (hostel), kampingje, hotele, motele, resorte, qendra kurative, struktura “fjetje dhe mëngjes” (B&B), apart-hotele dhe struktura akomoduese të trashëgimisë kulturore. Në këtë klasifikim përfshihet edhe “resort miks”, si nënkategori e resortit, vetëm për qëllime të certifikimit paraprak të zhvillimit të integruar.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën se si do të kategorizohen apartamentet, vilat dhe dhomat që ofrohen për akomodim turistik. Në projektet e reja, ato nuk do të kategorizohen më si struktura të veçanta, por duhet të përfshihen në komponentin turistik të një resorti dhe të jenë nën të njëjtin administrim e menaxhim.
Ndërkohë, njësitë e projektuara si banesa, jashtë një strukture të tillë, nuk mund të ofrohen për akomodim turistik pa u përfshirë në një projekt që plotëson kërkesat e kategorisë “resort”.
Për zhvillimet e kategorisë “resort miks”, qeveria ka vendosur që komponenti turistik të përbëjë të paktën 60% të sipërfaqes totale të ndërtimit, ndërsa komponenti rezidencial të mos kalojë 40%. Në këtë përllogaritje do të përfshihen edhe ambientet dhe infrastruktura e përbashkët, të cilat do të ndahen sipas përdorimit të tyre.
Një tjetër kërkesë është pajisja me certifikatë paraprake kategorizimi përpara miratimit të lejes së ndërtimit për strukturat e reja akomoduese. Certifikata do të lëshohet nga ministria përgjegjëse për turizmin dhe do të konfirmojë përputhshmërinë e projektit me kategorinë e propozuar, pa zëvendësuar lejen e ndërtimit.
Vendimi përcakton gjithashtu se ndryshimi i destinacionit të njësive rezidenciale në një resort miks, për t’i përdorur për akomodim turistik, do të lejohet vetëm pas plotësimit të kërkesave ligjore për turizmin dhe planifikimin e territorit.
Sa u përket strukturave ekzistuese, certifikatat e kategorizimit të lëshuara më parë, përfshirë ato për apartamente, vila, dhoma, blloqe apartamentesh dhe hotele të shpërndara, do të ruajnë vlefshmërinë. Ndërsa strukturat që kanë marrë leje ndërtimi përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 83/2026 nuk do të kenë detyrimin për certifikatë paraprake kategorizimi.
Me këtë vendim, qeveria riformaton klasifikimin e strukturave akomoduese dhe përcakton kritere të reja për ndarjen e funksionit turistik nga ai rezidencial në projektet e zhvillimit të integruar.







