Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shënuar rritje të rasteve të reja të regjistruara për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Sipas raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë 2026, gjatë vitit 2025 SPAK regjistroi një rritje prej 17.7% të çështjeve të reja për vepra të lidhura me korrupsionin.
Gjatë këtij viti, 34 procedime u dërguan në gjykatë, me gjithsej 160 të pandehur. Prej tyre, 10 procedime me 13 të pandehur lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë. Komisioni Europian vlerëson se SPAK ka vijuar të tregojë pavarësi dhe kapacitete për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Gjithashtu, është rritur përdorimi i hetimeve financiare dhe janë forcuar kapacitetet për gjurmimin e pasurive. Raporti evidenton një problem të rëndësishëm, diferencën mes pasurive të sekuestruara dhe atyre të konfiskuara përfundimisht.
Gjatë vitit 2025, vlera totale e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga SPAK arriti në 45.4 milionë euro. Por vetëm 1.2 milionë euro lidhen me procedime për korrupsion të nivelit të lartë, ndërsa vlera e pasurive të konfiskuara përfundimisht në këto çështje ishte rreth 100 mijë euro.
Sipas Komisionit Europian, numri i vendimeve për konfiskimin e pasurive ra nga 20 në 8, duke evidentuar nevojën për përdorim më efektiv të instrumenteve ligjore për rikuperimin e aseteve që burojnë nga aktivitetet kriminale. Brukseli kërkon gjithashtu që institucionet e tjera ligjzbatuese të rrisin referimet e çështjeve drejt SPAK-ut, pasi numri i tyre vijon të jetë i ulët. Përmirësim kërkohet edhe në kapacitetet organizative të strukturës për të përballuar ngarkesën në rritje të dosjeve.







