Rreth 88.36 miliardë lekë shpenzime publike në projektbuxhetin 2027 janë identifikuar si të lidhura me barazinë gjinore, duke përbërë 9.1% të shpenzimeve totale të buxhetit. Në fokus janë fuqizimi ekonomik i grave, mbështetja për fermeret, strehimi i grave në vështirësi dhe financimi i shërbimeve shëndetësore.
Sipas relacionit të projektbuxhetit, këto fonde përfshihen në programe të ndryshme të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe sektorëve të tjerë dhe nuk përfaqësojnë një fond të dedikuar që u shpërndahet drejtpërdrejt grave. Në drejtim të fuqizimit ekonomik, parashikohet mbështetja me grante e 26 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me drejtuese gra, me një kosto prej 65 milionë lekësh. Ndërsa për startup-et, objektivi është që 10% e bizneseve të mbështetura të jenë të themeluara ose të drejtuara nga gra.
Mbështetje parashikohet edhe për gratë në sektorin e bujqësisë. Sipas dokumentit, 6,650 gra pritet të përfitojnë nga skemat kombëtare të mbështetjes, me një kosto të lidhur me këtë objektiv prej rreth 891.4 milionë lekësh. Gjithashtu, 560 gra fermere synohet të përfitojnë informacion dhe trajnim përmes shërbimit këshillimor publik. Një tjetër drejtim është mbështetja sociale dhe strehimi. Programi i strehimit synon të ndihmojë 2,200 gra të dhunuara dhe kryefamiljare. Ndërkohë, për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë, njëri prej të cilëve nën moshën pesë vjeç, janë parashikuar 870 milionë lekë, me rreth 8,500 përfituese.
Në fushën e shëndetësisë, fondet përfshijnë rreth 13.1 milionë lekë për depistimin e kancerit të gjirit dhe 27.8 milionë lekë për depistimin e kancerit të qafës së mitrës. Po ashtu, 70 milionë lekë parashikohen për rikonstruksionin e gjirit për 350 paciente, ndërsa 37.5 milionë lekë për trajtimin e infertilitetit për 200 çifte. Peshën më të madhe në shpenzimet e lidhura me dimensionin gjinor e zë arsimi, me rreth 29.25 miliardë lekë. Në këtë kategori përfshihen kostot e arsimimit të vajzave, nga arsimi bazë deri në atë universitar.








