Automjetet me targa të huaja që hyjnë në Shqipëri mund të përballen me një skemë të re pagese për përdorimin e rrugëve. Një nga modelet që po shqyrtohet është sistemi i njohur si E-Vinjetë, i cili përdoret në disa vende europiane.
Sipas kësaj skeme, drejtuesit e automjeteve do të paguanin një tarifë në varësi të kohëzgjatjes së qëndrimit në Shqipëri. Kështu, mund të aplikohen pagesa të ndryshme për një ditë, një javë, një muaj apo edhe një vit, në varësi të periudhës së përdorimit të rrjetit rrugor.
Një tjetër element i mundshëm është kryerja e pagesës online dhe identifikimi i automjeteve përmes targave dhe kamerave automatike. Qëllimi i këtij mekanizmi do të ishte që edhe automjetet e regjistruara jashtë Shqipërisë të kontribuonin në financimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore.
Skema mbetet në fazë shqyrtimi dhe ende nuk ka një formulë zyrtare të miratuar. Për t’u përcaktuar janë tarifat, kategoritë e automjeteve që do të përfshihen dhe mënyra e aplikimit. Nëse kjo skemë do të miratohet, ajo mund të sjellë kosto shtesë për turistët dhe emigrantët që zgjedhin të udhëtojnë drejt Shqipërisë me automjetet e tyre.







