Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët, indeksimin e pensioneve dhe zgjerimin e mbështetjes financiare për fëmijët dhe familjet. Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin, i cili parashikon shpenzime publike në nivelin e rreth 10 miliardë eurove, me fokus te politikat sociale, investimet dhe ruajtja e stabilitetit fiskal.
Dyfishohet bonusi për pensionistët
Një nga masat kryesore të parashikuara për vitin e ardhshëm është dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, sipas kategorive të përcaktuara. Masa pritet të nisë nga 1 janari 2027 dhe ka një kosto totale të parashikuar prej 20 miliardë lekësh për vitin. Gjithashtu, në prill 2027 parashikohet indeksimi i pensioneve, për të cilin është planifikuar një fond prej rreth 1.35 miliardë lekësh. Në kuadër të politikave afatmesme, qeveria synon vijimin e rritjes së pensionit minimal në 200 euro në muaj dhe të pensionit mesatar në 400 euro në muaj.
Pagesa mujore për fëmijët deri në 5 vjeç
Projektbuxheti parashikon edhe zgjerimin e mbështetjes për familjet me fëmijë. Krahas vijimit të bonusit të bebes, është planifikuar një skemë mbështetjeje mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeç, me vlera që rriten në mënyrë progresive për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë. Një tjetër masë është dyfishimi i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Parashikohet gjithashtu vijimi i kompensimit nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48 mijë lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç, ndërsa rreth 1.3 miliardë lekë në vit do të financojnë shërbimet sociale dhe strehimin e përballueshëm.
Mbi 200 miliardë lekë për investimet publike
Për vitin 2027, investimet publike parashikohen në 201.5 miliardë lekë, ose 6.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Fondet do të orientohen drejt infrastrukturës, shërbimeve publike dhe projekteve që mbështesin zhvillimin ekonomik. Ndër sektorët prioritarë është arsimi, për të cilin parashikohen 93.6 miliardë lekë, me një rritje prej 4.5 miliardë lekësh krahasuar me nivelin e mëparshëm të financimit. Në këtë sektor përfshihen 1.1 miliardë lekë shtesë për bursat e studentëve në nevojë, 400 milionë lekë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë, 500 milionë lekë për programin “Pas Shkollës” dhe 100 milionë lekë shtesë për kërkimin shkencor. Për shëndetësinë janë parashikuar 87.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.6 miliardë lekësh. Ndër masat e renditura në projektbuxhet janë një miliard lekë financim shtesë për barna dhe pajisje mjekësore, receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë, si dhe rehabilitimi dhe ndërtimi i 20 spitaleve.
Rritje e financimit për bujqësinë dhe sigurinë
Buxheti për bujqësinë parashikohet në 17.9 miliardë lekë, me 1.1 miliardë lekë financim shtesë nga buxheti i shtetit. Skema e mbështetjes direkte për fermerët parashikohet në 5.3 miliardë lekë, ndërsa synohet që numri i përfituesve të arrijë në rreth 43,660. Për rendin parashikohen 36.7 miliardë lekë, ndërsa 3.3 miliardë lekë shtesë do të përdoren për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Sipas projektbuxhetit, nga kjo masë pritet të përfitojnë 8,500 punonjës. Ndërkohë, për Ministrinë e Mbrojtjes parashikohen 76.7 miliardë lekë, me 7 miliardë lekë financim shtesë dhe shpenzime për mbrojtjen në nivelin 2.35% të PBB-së.
Të ardhurat rriten, deficiti në 2.3% të PBB-së
Të ardhurat buxhetore për vitin 2027 parashikohen në 907.9 miliardë lekë, ose 30.9% e PBB-së, ndërsa shpenzimet publike do të kalojnë 10 miliardë euro. Sipas Ministrisë së Financave, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa për të gjithë vitin parashikohet një rritje reale prej 4%. Investimet e huaja direkte arritën në 1.1 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit, me një rritje prej 50.8%. Për vitin 2027, deficiti buxhetor parashikohet në 2.3% të PBB-së, ndërsa borxhi publik bruto pritet të zbresë në 52.4% të PBB-së, nga 52.5% që parashikohet për vitin 2026. Projektbuxheti 2027 është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe është paraqitur në Konferencën e Kryetarëve. Ai do të shqyrtohet më tej në komisionet parlamentare përpara përfundimit të procesit të miratimit.







