Qeveria shqiptare synon të unifikojë kuadrin ligjor për investimet në vend, përmes një projektligji të ri që bashkon legjislacionin për investimet e huaja dhe ato strategjike. Nisma synon të përmirësojë klimën e biznesit, të qartësojë procedurat administrative dhe të forcojë mbrojtjen e investitorëve. Projektligji “Për investimet në Republikën e Shqipërisë” parashikon shfuqizimin e dy ligjeve ekzistuese, atij të vitit 1993 për investimet e huaja dhe ligjit të vitit 2015 për investimet strategjike. Sipas relacionit shpjegues, legjislacioni aktual ka nevojë për përditësim, veçanërisht për shkak të problematikave të evidentuara në zbatimin e procedurave dhe koordinimin mes institucioneve.
Të dhënat tregojnë se, nga viti 2016 deri në maj të vitit 2025, statusin strategjik e kanë përfituar gjithsej 54 projekte, nga të cilat 42 në sektorin e turizmit. Dokumenti evidenton nevojën për të diversifikuar investimet, duke nxitur më shumë projekte në industri, teknologji, inovacion dhe prodhim, me synim rritjen e produktivitetit dhe zgjerimin e eksporteve. Një tjetër fokus i projektligjit është monitorimi i investimeve. Sipas relacionit, jo të gjitha projektet e miratuara janë realizuar sipas parashikimeve: disa kanë përfunduar, të tjera vijojnë zbatimin, ndërsa një pjesë kanë kërkuar shtyrje afatesh ose nuk janë realizuar. Për këtë arsye, parashikohen mekanizma më të fortë për verifikimin e progresit dhe kontrollin e përmbushjes së detyrimeve nga investitorët.
Ai parashikon garanci për mbrojtjen e investimeve, trajtim të drejtë dhe të barabartë për investitorët, si dhe masa mbështetëse për projektet me potencial zhvillimi. Gjithashtu, përcakton rregulla për shqyrtimin e investimeve të huaja për arsye të sigurisë kombëtare dhe rendit publik, si dhe një mekanizëm për zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve mes investitorëve dhe institucioneve shtetërore. Nisma lidhet me procesin e integrimit europian dhe synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian dhe praktikat ndërkombëtare në fushën e investimeve.








