Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për protestat e dy ditëve të fundit në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për aktet e dhunës dhe duke bërë thirrje për qetësi, maturi dhe dialog.
Në një mesazh publik, kreu i shtetit theksoi se zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve, por nënvizoi se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje. Presidenti theksoi se Shqipëria ka nevojë për qetësi, përgjegjësi dhe dialog, duke bërë thirrje që dallimet të mos kthehen në përçarje, por të shërbejnë si nxitje për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të gjetur zgjidhje në interes të qytetarëve.
Begaj u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit.Ai shprehu gjithashtu mbështetjen për forcat e rendit në përmbushjen e detyrës së tyre dhe u uroi shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve, si efektivëve të policisë, ashtu edhe protestuesve.
Reagimi i plotë:
“Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.
Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit. Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta vërë dhe nuk e vënë askush në diskutim. Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike.
Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjësi dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë një zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë. I bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit.
I inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe u uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues. Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për kudo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi, sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë.”








