Ushqimet vijojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që mbajnë inflacionin në Shqipëri, duke pasur edhe peshën më të madhe në shportën e konsumit të familjeve.Sipas të dhënave të INSTAT, në shtator grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” përbënte 34.1% të shportës së konsumit dhe kontribuoi me 0.96 pikë përqindje në inflacionin vjetor. Brenda këtij grupi, çmimet u rritën mesatarisht me 2.8% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.
Por shtrenjtimi nuk ka qenë i njëjtë për të gjitha produktet. Peshku dhe produktet e detit kryesojnë listën e ushqimeve që janë shtrenjtuar më shumë, me një rritje vjetore prej 9.6%. Në vend të dytë renditen perimet, zhardhokët dhe bishtajoret, çmimet e të cilave janë rritur me 7.9%. Bëhet fjalë për produkte me konsum të përditshëm, duke e bërë këtë rritje më të ndjeshme në buxhetet familjare.
Edhe mishi ka regjistruar rritje të konsiderueshme. Mishi i freskët, i ftohur ose i ngrirë është shtrenjtuar me 4.4%, ndërsa kategoria e mishit dhe produkteve të lidhura me të ka shënuar një rritje prej 3.7%.
Ndërkohë, vajrat dhe yndyrnat kushtojnë 4% më shumë se një vit më parë, ndërsa qumështi, produktet e bulmetit dhe vezët janë shtrenjtuar me 2%. Rritje prej 2.3% kanë regjistruar edhe sheqeri, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë. Më e moderuar ka qenë rritja e çmimeve të drithërave dhe produkteve me bazë drithërash, me vetëm 0.6%.
Në kahun e kundërt qëndrojnë frutat e freskëta dhe të thata. Kjo është kategoria e vetme kryesore ushqimore që ka regjistruar ulje vjetore të çmimeve, me 4.3%. Në një kohë kur ushqimet zënë më shumë se një të tretën e shportës së konsumit, lëvizjet e çmimeve në këtë grup vijojnë të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në koston e jetesës së familjeve shqiptare.







